Drejtësia

Berisha bën rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon heqjen e masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’

Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë një rekurs kundër shfuqizimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO, pasi u lirua nga “arresti shtëpiak” në nëntor të vitit të kaluar.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në aferën e ashtuquajtur “Partizani”, për të cilën SPAK e ka marrë të pandehur. Prej 3 janarit, ai zbaton 2 herë në muaj masën “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë, rekurs në Gjykatën e Lartë ka paraqitur edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, i cili kërkon të shfuqizojë vendimin e Apelit të Posaçëm, që la të pa ndryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj tij.

Kreu i Partisë Demokratike është në këtë masë që prej 3 janarit të këtij viti për çështjen penale të kompleksit “Partizani”. Ish-Kryeministri është marrë i pandehur për këtë çështje së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

SPAK i komunikoi akuzën Sali Berishës në 24 shtator 2024, duke e marrë të pandehur. Akuza penale e ngritur ndaj tij është “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim”, të cilën Berisha e konsideron si “hakmarrje politike të Ramës”.

Po ashtu, SPAK thotë se dhëndri i Berishë, Malltezi, ka përfituar 5.4 milionë euro gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri. Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë