Politike

Berisha: BE të hetojë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e Kolegjit të Europës

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij përpara gazetarëve, komentoi edhe arrestimin e ish-përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Berisha kërkoi nga Prokuroria e BE-së të hetonte e-mail dhe SMS që, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer me Federica Mogherini-n, për ndërtimin e Kampusit të Kolegjit Europian në Shqipëri.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe Mogherini, për interesa të tyre korruptive, kanë rritur koston e jetesës për studentët e Kolegjit të Europës.

“Mogherini dhe Edi Rama kanë rritur koston e jetesës për studentët e Kolegjit të Europës, për interesa korruptive. Në Bruksel, Prokuroria Publike Europiane dhe Prokuroria belge arrestuan Federica Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj, pasi iu hoq imuniteti. Drejtësia nuk u pengua. Kurse në Shqipëri, pas kërcënimit direkt nga Ramaduro e prokurorit të Ballukut, bëri që të ketë presion ndaj drejtësisë. Kryeministria u kthye në avokati të Belinda Ballukut.

Rama është i përfshirë në afera korruptive. Ju bëj thirrje institucioneve europiane, që të hetojnë të gjitha e-mailet, mesazhet që Rama ka shkëmbyer me Mogherinin për ndërtimin e Kolegjit Europian në Tiranë dhe veçanërisht komunikimet me Sky Ecc, Matrix, që Rama i ka përdorur. Autoritetet europiane të hetojnë abuzimet e Edi Ramës dhe zyrtarëve të tij, në lidhje me abuzimet me fondet e BE-së. Opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë për zbulimin e skandaleve korruptive të qeverisë së Tiranës”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë