Gazeta Si – Ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar edhe ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla për lidhje me bandat kriminale të Elbasanit.
Gjatë fjalës së tij pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, kreu i PD-së, ka nxjerrë disa përgjime ku pretendon se Taulant Balla ka urdhëruar arrestimin e Çapjave në këmbim të votave për zgedhjet elektorale.
Jashtë godinës së SPAK, Berisha tha se pretendon të ketë zbuluar një komunikim mes një anëtari të bandës së Elbasanit dhe Taulant Ballës, të cilit i referohet si “Tao”.
Sipas Berishës, më 10 shkurt 2020, një mesazh nga një anëtar i bandës së Elbasanit është dërguar te Balla, duke përmendur një marrëveshje për të mos kërkuar më favore publike apo tendera, përveç atyre që ishin dakordësuar më parë. Mesazhi, sipas tij, përfshinte një kërkesë për arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
“Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigjia ishte: Po, ne e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tani, komenti tjetër. Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në Mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan”.
Sipas Berishës, Taulant Balla përcakton tendera, vendimet e gjykatave, merr përsipër me listë arrestimet dhe garanci për votat. Më tej, kryedemokrati thotë se ky është vetëm një aspekt i dokumentave që ka për SPAK-un, të cilën e quan “organiztaë kriminale”.
“Çfarë del nga kjo? Që Tao përcakton tendera, që Tao përcakton vendimet e gjykatave, që Tao merr përsipër me listë arrestimet, dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është vetëm një aspekt i dokumenteve të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që unë e quaj Skrapi i partisë. Tao shëtit nga një vend në një vend tjetër dhe këto janë vetëm njëri aspekt sepse janë të tjera, konkrete për të, po kaq të rënda dhe më të rënda. Avash-avash do keni me radhë, unë jam zotuar se do u faktoj pse e cilësoj Altin Dumanin kreun e një organizate kriminale. Sepse Altin Dumani i ka këto prej kohësh, por vepron njëlloj si Lubi Balluku dhe Edi Rama, Rama jepte për një hyrje një leje ndërtimi, Lubia që është e pashembullt në Ballkan dhe Europë, ndau 13 kilometra rrugë në 14 kontrata. Këto nuk janë nga Skrapi, janë një burim tjetër. Këto janë nga një qendër e huaj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.