Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë, përmendi sërish Ergys Agasin, duke e cilësuar si “Rama”, pasi sipas tij jep urdhra dhe merr vendime sikur të jetë në krye të qeverisë.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Agasi, ndonëse është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, ku akuzohet se ka vepruar si grup i strukturuar kriminal me të pandehurit e tjerë, sipas tij lëviz i lirë sepse mbrohet nga drejtori i policisë Ilir Proda.
Sipas kryedemokratit, Agasi, duke vepruar si një person me shumë pushtet, përdorte “oficerët e policisë për të ekzekutuar në mes të sheshit të Aeroportit të Tiranës dhe urdhëronte te Suel Çela pengjet e marra për t’u thyer kockat që të hiqnin dorë nga tenderat.”
“Galeria e Ergys Agasit është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit e degjenerimit total të organizatës kriminale që quhet Rilindje. Kjo vetëm se Agasi ishte Rama, jo për arsye tjetër. Ishte Rama, Rama që vriste pam pam pam.
Që përdorte oficerët e policisë për të ekzekutuar në mes të sheshit të Aeroportit të Tiranës, që urdhëronte te Suel Çela pengjet e marra për t’u thyer kockat që të hiqnin dorë nga tenderat.
Ishte Rama që bën që të jetë i lirë sot, Ergys Agasi kalon nga një kafe në tjetrën dhe jep urdhra njëlloj si më parë. Përcakton dhe merr vendime se është Rama. Atë e mbron Ergysi i policisë që quhet Proda, përfaqësues kryesor i karteleve“, u shpreh Berisha.
Ai tha se janë me qindra demokratë që thonë se “nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën.”
Sipas kreut të PD-së ndërkombëtarët po e presin protestën e opozitës shqiptare në bulevard.
“Gjithçka është në duart e të rinjve shqiptarë, e studentëve, e të rinjve punëtorë, e gjimnazistëve. Dhe unë kam shumë besim. E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me simpatinë më të madhe, me vlerësimin maksimal. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktaturë dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët”, tha kreu i selisë blu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



