Trashëgimi

Berat, nis restaurimi i kishës së Shën Triadhës

Specialistë të DRTK Berat janë duke restauruar afresket e dëmtuara të Shën Triadhës, një nga objektet më të arrira të arkitekturës bizantine në Shqipëri.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka publikuar në rrjetet sociale, një video nga punimet që po kryhen në kishën e Shën Triadhës.

Kjo kishë gjendet në lagjen e Mangalemit në Berat. Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të kohës. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit” apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë Pashkëve duken ende mbi muret e kishës.

Specialistët e DRTK Berat po bëjnë përpjekje për të rikuperuar pjesët më të dukshme të afreskeve të brendshëm, të cilët janë realizuar nga piktorë anonimë.

Kisha e Shën Triadhës është një nga më të vjetrat e këtij qyteti, e pozicionuar në faqen jugore të kalasë. Shën Triadha ofron një pamje panoramike mbi Goricë dhe shëtitoren e Beratit duke ju bashkuar hijshëm ansamblit muzeal të qytetit që mbrohet nga UNESCO.

Kisha është një nga më të vizituarat në zonën muzeale të Kalasë dhe konsiderohet nga më cilësoret e 28 kishave që ka patur gjithë zona e Mangalemit në qytetin e Beratit.

Ndërtimi i kishës daton rreth fundit të shekullit të XIII-të. Ajo është një nga modelet më interesante në strukturën e ndërtimit ku gërshetohen tjegulla të modelit bizantin me radhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës.

Kjo teknikë duket se ka qenë vendimtare për të mbrojtur objektin nga dëmtimet e forta të shekujve. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë