Futboll

Berat Gjimshiti mund Romën, por lë fushën i dëmtuar. Kumbulla mbetet spektator

Gazeta Si – Ecuria e fitoreve radhazi për Romën është ndalur sot në Bergamo, ku skuadra e Mourinjos është mundur 3-1 nga Atalanta. Pas kësaj humbjeje, Roma zbret në vend të 5-të, por me pikë të barabarta me Milanin e vendit të 4-t, ndërsa Atalanta i afrohet Interit me 2 pikë, duke iu bashkuar garës së Championsit.

Pasaliç shënoi për Atalantën në pjesën e parë, në të dytën dyfishoi mbrojtësi Toloi. Lorenco Pelegrini shkurtoi diferencën në 2-1, por vetëm një minutë më pas Kupmeniers shënoi golin e 3-të, pas gafës së Rui Patricio, duke prerë çdo shpresë të miqve për pikë.

Pasaliç feston golin me Zpakosten. Gazeta Si, 24 prill 2023

Berat Gjimshiti luajti titullar, por ndeshja e tij zgjati deri në minutën e 73-të. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua. Marash Kumbulla, mbrojtësi tjetër kuqezi, ishte ‘spektator pa biletë’ në këtë ndeshje, pasi nuk luajti asnjë minutë për Romën. Trajneri Mourinjo vazhdon të mos e aktivizojë futbollistin shqiptar.

Gara për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm është bërë edhe më intriguese në Serinë A. Napoli është i sigurt dhe pret vetëm matematikën për titullin, më pas është Lacio skuadra më e favorizuar me vendin e dytë, pastaj vijnë me radhë Juventusi, Milani, Roma, Interi dhe Atalanta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë