Drejtësia

Beqaj kërkon ‘Diellën’ në qeli për të dëgjuar CD e seancës paraprake

Gazeta Si – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kërkuar në qelinë e tij, “Diellën”, ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale.

Shkak sipas tij janë vështirësitë për të dëgjuar të gjitha CD-të e audio-regjistrimit të seancës paraprake në burg.

Beqaj ka pretenduar se nuk ka njoftim akuze sipas ligjit. “Me sa duket më duhet një Diella, s’kam si t’ja bëj ose të kem një kompjuter“, – mësohet të jetë shprehur Beqaj në seancën e radhës të dosjes “Sterilizimi” në GJKKO.

Ish-ministri akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Ish-ministri i shëndetësisë Beqaj u ankua se procesverbalet e seancave paraprake ishin të paplota.

“Procesverbalet janë të paplota, nuk i kam marrë ende të gjitha. Unë jam në një situatë që nuk di si do të mbrohem. Procesverbalet ia kam kërkuar gjykatës së mëparshme me insistim, por nuk i kam marrë ende të gjitha, pasi nuk e kam më atë të drejtë që t’ia dërgoj asaj gjykate, sepse e ka ndarë çështjen time. Kërkoj CD-të e seancave paraprake, aty ku është bërë diskutimi i akuzës”, tha Beqaj.

Avokati i ish-ministrit theksoi se klienti i tij është në pamundësi për t’i dëgjuar: “Ku do firmosim ne?”

Këtu ndërhyn Beqaj: “Po na duhet një ‘Diellë’, mesa duket, sepse CD-të duhet t’i marrësh kundrejt tarifës, pra i bie të blesh akuzën. Do t’i bëj kërkesë gjykatës që të më sjellë kompjuter që t’i dëgjoj, por duhet të urdhëroni Drejtorinë e Burgjeve që të ma lejojë.”

Seanca e sotme u shty sërish për t’i dhënë kohë avokatëve të Beqajt që të bëjnë kërkesën për të marrë CD-të e seancave paraprake, për të përgatitur mbrojtjen e tij. Gjykata vendosi ta shtyjë seancën për në datën 30 tetor, ora 12:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë