Kosova

Beogradi thotë se Petkoviçit iu ndalua hyrja në Kosovë 

Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, iu ndalua hyrja në Kosovë dhe pjesëmarrja në shugurimin e patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës, njoftoi sot(10 tetor)kjo zyrë.

Autoritetet në Kosovë, deri më tani, nuk kanë dhënë ndonjë njoftim.

“Bëhet fjalë për shkelje brutale të marrëveshjes, si të asaj për lirinë e lëvizjes, ashtu edhe të marrëveshjes për vizitat zyrtare, e cila parashikon procedura të thjeshtuara për vizitën në Kosovë e Metohi të kryenegociatorit në dialogun me Prishtinën”, thuhet në njoftim.

Aty, po ashtu, theksohet se kjo është hera e dhjetë që Petkoviçit i ndalohet vizita.

Sipas njoftimit, vizita është paralajmëruar siç duhet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura.

Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e shugurimit të patriarkut u tha se ishte planifikuar edhe një vizitë në manifestimin “Ditët e Moravisë” në fshatin Kufcë e Epërme të Komunës së Gjilanit.

Në njoftim thuhet se për “shkeljen brutale të marrëveshjes, por edhe mohimin e lirive fetare” do të informohet Brukseli zyrtar, por edhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, do të shugurohet në Manastirin e Patrikanës së Pejës në Kosovë më 14 tetor. Ky akt kryhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe. Patriarkana e Pejës është tradicionalisht vendi ku marrin detyrën patriarkët serbë.

Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se patriarku, atë ditë, do të vizitojë Kosovën dhe Patriarkanën e Pejës, ku do të udhëheqë liturgjinë e shenjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë