Futboll

Benzema ëndërron Olimpiadën Paris 2024: Do të ishte fantastike të merrja pjesë

Gazeta Si – Karim Benzema dëshiron të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024, që zhvillohen këtë verë. Sulmuesi i njohur francez e sheh si objektiv këtë event të rëndësishëm që zhvillohet në vendin e tij dhe ka dhënë një mesazh për trajnerin Tierri Henri.

“Të marr pjesë në Olimpiadë? Pse jo, do të ishte fantastike, nëse do të luaja”, – ka thënë ish-sulmuesi i Real Madridit. Në ekipin olimpik të futbollit lejohen vetëm tre lojtarë mbi 23 vjeç dhe Benzema mund të jetë njëri prej tyre.

Vendimi i takon trajnerit të Francës olimpike, Henri. Benzema vjen pas një periudhe të vështirë, pas kalimit nga Real Madrid në Arabinë Saudite. Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç mendonte sulmuesi veteran, shpesh në qendër të kritikave për nivelin e dobët.

Franca është vendi organizator i Lojërave Olimpike dhe synon që të përfaqësohet sa më mirë në këtë event madhor. Ndoshta për ekipin e futbollit do t’i duhet eksperienca e sulmuesit që ka fituar gjithçka në karrierë, edhe “Topin e Artë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë