Muzika që në krye të herës ka shërbyer për të ekzorcuar tragjeditë që çdo konflikt sjell, për të dhënë forcë për të rezistuar. Nëse kjo luftë është ajo e një njeriu kundër të gjithëve dhe kundër gjithçkaje nga Vladimir Putin, ata që paguajnë çmimin më të lartë janë sigurisht njerëzit, njerëzit e thjeshtë, në Kiev, por edhe në Moskë: dhe muzika, siç ka ndodhur shpesh, luan një rol simbolik dhe domethënës edhe në këtë konflikt të fundit, të tmerrshëm.
Tashmë ekziston një kolonë zanore e luftës ruso-ukrainase: para së gjithash është ajo e “të pushtuarve”, ukrainasve. Kënga “1944” nga Jamala është kthyer tashmë në vëmendje, bëhet fjalë për këngën me të cilën ajo fitoi Eurovizionin në 2016.
Një këngë që ngjalli shumë polemika në atë kohë: titulli i referohet dëbimit të tatarëve nga Krimea nga Stalini, në atë vit fatal. Shumë (sidomos rusët) do të lexojnë një sulm ndaj pushtimit të gadishullit në vitin 2014. “Kur të huajt mbërrijnë / Ata mbërrijnë në shtëpinë tuaj / Ata i vrasin të gjithë / dhe thonë se ne nuk jemi fajtorë/ Nuk jemi fajtorë”: këto fjalë tani kumbojnë mes llogoreve dhe në periferi të Kievit të ushtrisë ukrainase, ndërsa gjarpri i gjatë i tankeve të Moskës i afrohet gjithnjë e më shumë kryeqytetit. Siç kumbon një këngë e përjetshme e “rezistencës”, Bella Ciao, e ribërë nga këngëtarja popullore Khrystyna Soloviy e cila shprehet në këtë version: “Askush nuk e mendoi, askush nuk e dinte / Cili ishte zemërimi ukrainas / Ne do t’i vrasim xhelatët e mallkuar pa mëshirë / Ata që po pushtojnë tokën tonë”.
Por meqenëse është tmerrësisht e vështirë të jetosh dhe të rezistosh nën bombat e pushtuesve, duhet edhe shumë guxim të rebelohesh, t’i thuash jo luftës së Putinit në Moskë apo Shën Petersburg. Dhe gjithashtu në këtë rast muzika luan një rol të rëndësishëm: Sting nxori një pjesë të tij të vjetër që ai e konsideroi të vjetruar nga historia “Rusët” e vitit 1985 në të cilën këngëtari thoshte, duke iu referuar BRSS dhe SHBA-së dhe Luftës së Ftohtë, akoma të nxehtë, para shkrirjes së inicuar nga Gorbaçovi: “Nuk ka monopol mbi sensin e shëndoshë / në të dy anët e barrikadës politike” dhe më pas “Nuk ka luftëra që mund të fitohen / është një gënjeshtër që nuk e besojmë më”.
Historia kthehet, siç mund ta shohim, dhe përkushtimi i Sting është padyshim për kohën e tanishme dhe për rusët që luftojnë kundër këtij pushtimi absurd. Ndërsa historia kthehet edhe me këngën Zombie nga The Cranberries: “Në kokën tuaj, në kokën tuaj, ata po luftojnë me tanket e tyre dhe bombat e tyre dhe armët e tyre në kokën tuaj, në kokën tuaj ata qajnë”, kështu këndonte këngëtarja irlandeze, Dolores O Riordan mbi sulmet e IRA-s dhe ushtrisë britanike gjatë trazirave në Irlandën e Veriut. Kështu këndojnë demonstruesit që arrestohen në metropolet ruse. Sepse ata vërtet nuk e duan këtë luftë.
Marrë nga Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.