Gazeta Si – Për fitoren e Real Madrid mendon sërish Xhud Belingham. Ish-lojtari i Borusia Dortmund ka hequr ‘gështenjat nga zjarri’ për madrilenët, duke shënuar me kokë golin e fitores 0-1 në fushën e Selta Vigos, në javën e 3-të të kampionatit spanjoll.
Pas një goli të anuluar për Seltën për faull të Larsen dhe një penalltie të humbur nga Rodrigo në pjesën e dytë, vendosi goditja e saktë me kokë e Belingham në minutën e 81-të. Skuadra e Karlo Ançelotit vazhdon kështu me pikë të plota pas 3 javësh dhe me një lider të ri: Belingham. Goli ndaj Seltës ishte i 4-ti për futbollistin anglez në kampionat.

Por fitorja nuk u shijua plotësisht në kampin madrilen, për shkak të dëmtimit të sulmuesit brazilian Vinicius. Ai la fushën që në fillim të ndeshjes, pas 16 minutash lojë, duke alarmuar trajnerin Ançeloti dhe stafin e tij. Problemi i Vinicius është dukur i natyrës muskulore.
Ky është një tjetër lajm i hidhur që vjen nga infermieria e Realit, pasi më parë janë dëmtuar rëndë portieri Tibo Kurtua, që ka kryer tashmë edhe ndërhyrjen kirurgjikale, dhe mbrojtësi Eder Militao. Nëse edhe dëmtimi i Vinicius është serioz, atëherë do të ishte vërtet një goditje e rëndë për ‘Los Blancos’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




