Gazeta Si – Shokë skuadre te Borusia Dortmund, ku kanë lidhur një raport të mirë, anglezi dhe norvegjezi ritakohen si kundërshtarë në çerekfinalet e Championsit. Por kushedi, sulmuesi mund të zbarkojë në Madrid në një të ardhme të afërt…
Njëri kundër tjetrit në të tashmen. E shkuara dhe e ardhmja ngacmojnë jo pak. Mbrëmjen e sotme Real Madrid dhe Mançester Siti përballen në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Përbellen mes tyre edhe Xhud Belingam dhe Erling Haland, shokë ekipi në Dortmund, kundërshtarë në Champions, ndoshta sërish bashkë në të ardhmen.

Të dy janë shumë miq dhe Belingam po përpiqet ta bindë Haland të bashkohet me të në Madrid.
Në janar të 2020-ës, Haland la Salcburgun për të shkuar në Dortmund. Pas 6 muajsh gjermanët morën edhe Belingam nga Birmingemi. Dhe ata krijuan miqësi menjëherë, në fushë kuptoheshin shumë mirë, por edhe jashtë saj.
Në shtator të 2021-shit Borusia fitoi ndeshjen e parë të grupeve në Champions, 2-1 ndaj Beshiktashit. Golin e parë e shënoi Belingam, të dytin Haland. Pas ndeshjes sulmuesi norvegjez po jepte një intervistë, por u ndërpre nga Belingam që i dha një puthje në faqe në transmetim direkt.
“Xhud është i jashtëzakonshëm, – tha Haland duke qeshur. – Dhe është vetëm 18 vjeç, 3 më pak se mua. Mendoj se është shumë i fortë, i pabesueshëm”.
Mesfushori anglez, në momentin e kalimit të Haland te Mançester Siti, nuk e fshehu mërzinë. “E kam dashur numrin tonë 9, e dua dhe do ta dua gjithmonë. Flasim për një lojtar të veçantë dhe një person të mrekullueshëm. Më mungon shumë”, – tha Belingam.
Janë ndjerë mirë, sepse ishin të dy të rinj, të dy të fortë, të dy të huaj dhe të dy ambiciozë. Dilnin shpesh për darkë bashkë dhe edhe pse kanë dy karaktere të ndryshme, kuptuan se janë të ngjashëm.
Kishin vendosur të shfrytëzonin trampolinën e vendosur në dispozicion nga Borusia Dortmund për të luajtur më pas për më të mëdhenjtë e Europës. Kishin të njëjtën ëndërr, tani janë kundërshtarë, por objektivi i të dyve është që të luajnë sërish bashkë. Nuk duan të jenë njëri kundër tjetrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




