Politike

Belind Këlliçi kandidati i PD-PL për Tiranën: Hyj në primare, gati të lë mandatin (çfarë tha Meta dhe Berisha)

“Jam gati të lë mandatin, sot hyj në Primare!”, tha Belind Këlliçi mesditën e së enjtes. Ai është emri që ka “bekimin” edhe të Ilir Metës për të qenë kandidati i opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale.  

Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015.

Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike.

Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores.

Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD.

Gjatë Kuvendit Kombëtar u krijua Komisioni i Rithemelimit të PD, mandati i të cilit zgjati deri në 22 maj, ditën e zgjedhjes së Sali Berishës si kryetar i PD. Këlliçi ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Ai gjithashtu drejtoi punimet e Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022.

Për kandidaturën e Belind Këlliçit u pyet Ilir Meta dhe Sali Berisha pas firmosjes së marrëveshjes te mesdites.  

“Për ne nuk ka rëndësi asnjë emër për asnjë lloj funksioni pasi kjo është një marrëveshjë e qartë. Për ne rëndësi ka procesi. Ne do të respektojmë çdo zgjedhje të primareve”, u përgjigj Meta

Edhe Sali Berisha u tregua diplomat në përgjigjen e tij.  

“Siç e dini kandidati për qytetar të parë i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë do të dalë nga primaret. Dhe ne këtu ramë dakord se ky koalicion  mbështet plotësisht primaret.
 
Unë përgëzoj të gjithë ata që vendosin të provohen në një garë të pashembullt ndonjëherë në historinë e këtij vendi që synon t’i japë fund kryetarokracisë, synon të përmbysë praktikat e vjetra të zgjedhjes së përfaqësuesve sit ë tillë.
 
Z. Këlliçi ka shprehur dëshirën, është një nga ata që ka shprehur dëshirën dhe unë e përgëzoj plotësisht, siç përgëzoj secilin personalitet të partisë ose shoqërisë civile që vendos të provohet në garë për qytetar të parë të Tiranës apo funksione të tjera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë