Institucioni më i lartë i futbollit në Botë, FIFA ka publikuar së fundi renditjen e parë të kombëtareve për vitin 2021. Kjo renditje përditësohet në bazë të ndeshjeve të luajtura, por për shkak të angazhimeve të vogla të Kombëtareve, renditja nuk ka pësuar shumë ndryshime nga publikimi i fundit. Për të disatën herë kjo renditje kryesohet nga kombëtarja e Belgjikës.
“Djajtë e kuq” konsiderohen kombëtarja më e mirë e momentit, duke u renditur para Francës kampione bote dhe Brazilit, që mban vendin e tretë. Ngjitet një vend Anglia, në vend të pestë është Portugalia, për të vazhduar me Spanjën, Argjentinën, Uruguain dhe Italinë. Duke parë se Gjermania nuk ka kaluar një periudhë të mirë me kombëtaren e saj, renditet në vendin e 13.
Në renditjen botërore të FIFA-s, Shqipëria nuk ka pësuar ndonjë ndryshim duke u pozicionuar e 66-ta me 1360 pikë, duke patur para saj Maqedoninë e Veriut dhe duke mbajtur poshtë vetes kombëtare si Bullgaria. Në pozita të njëjta është edhe Kosova, që mban vendin e 117-të. Gjatë vitit të fundit kuqezinjtë kanë pasur luhatje në lojë dhe rezultate, kurse Kosova ka pasur rritje të vazhdueshme. Renditja e re do të publikohet në 8 Prill 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.