Gazeta Si – SPAK ka reaguar pas akuzave të Partisë së Lirisë për ndalimin e eurodeputetit Fredi Beleri dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, nga takimi me Ilir Metën në burgun 313 në Tiranë.
Më herët sekretari i PL-së, Tedi Blushi, bëri një deklaratë në rrjetin e tij social, ku tha se “në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë”, – shkruan Blushi.
Menjëherë më pas, reagoi SPAK, i cili tha se deputetët nuk kanë nevojë për autorizimin e këtij institucioni dhe se miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur”, informon SPAK.
Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, u arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit më 21 tetor 2024, i akuzuar për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.