Ka ndodhur

Bektashinjtë festojnë Sulltan Novruzin

Besimtarët bektashinj festojnë këtë të martë festën e Sulltan Novruzit, dita më e rëndësishme fetare e tyre. Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Imam Aliut, që për bektashnjtë lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira.

Festimet, mesazhet dhe urimet e kësaj dite të shënuar për komunitetin bektashi, sot kremtohen në selinë e kryegjyshatës botërore bektashiane në Tiranë, të drejtuara nga kryegjyshi Baba Dede Edmond Brahimaj.

Novruz në gjuhën perse do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian ajo është dita e parë e vitit të ri dhe përkon gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri. Por, kryeqendra e festimeve mbetet Irani.

Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjeri dhe më pas kryejnë ritet fetare. Përsa i përket tryezës, nuk duhet kurrsesi të mungojë uji, veza, qirinjtë dhe frutat e perimet e stinës. Në këëtë ditë, besimtarët nxiten që të ndihmojnë ata që në nevojë dhe sipas traditës shpërndajnë qumësht dhe sherbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.

Në ditët e festës bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre, ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë