Editorial

Bëhu pronar i së vërtetës, kontribuo për gazetarinë cilësore

Të gjesh informacion dhe të gjesh informacion të dobishëm nuk janë e njëjta gjë.

Në shumicën e kohës ne marrim informacion pa fund kudo në internet, por sa na vlen ky informacion? A na plotëson informacioni i marrë? A është ai gjithmonë i besueshëm? A është ai cilësor dhe a na ndihmon ai të arrijmë në gjykim të drejtë për botën që na rrethon?

Në fund të fundit, a jemi vërtetë të informuar?

Përmbajtja e informacionit në web dhe rrjete sociale është lehtësisht e arritshme nga të gjithë. Çdo gjë që thuhet, që ndodh, apo edhe që nuk ndodh, shkruhet, kopjohet, riprodhohet, shpërndahet dhe pse jo edhe ndryshohet rrugës. Sa shpesh shumë nga ne jemi gjendur përballë lajmeve të rreme, të cilat i dijmë që janë të tilla, por për shkak të riprodhimit nga një faqe Facebook në tjetrën, nga një portal në tjetrin, shumëfishohen me shpejtësi marramëndëse? Nëse po, kujt i shërbejnë? Cila është zgjidhja? Të zgjedhësh se cilat janë lajmet që na shërbejnë dhe cilat lajmet e rreme apo ato që u shërbejnë të tjerëve, në një botë virtuale të rrethuar nga një mori informacioni  është gjëja më e vështirë për një publik të gjerë. Shpesh herë edhe për ne profesionistët e informacionit.

Pse? Sepse informacioni është pushtet. Dhe si i tillë është përdorur gjithmonë nga pushteti, si ai politik dhe ai ekonomik për të mbrojtur së pari interesat e veta. Nuk ka informacion falas, gjithmonë dikush paguan për të. Për sa kohë informacioni paguhet nga politika apo biznesi, ai do të mbetet përherë i kontrolluar, i deformuar dhe në shërbim të atij që paguan, që është edhe pronari që dikton çfarë i duhet apo çfarë nuk i duhet ofruar publikut. Dhe për sa kohë sërish interesa të tjera okulte mund të financojnë dizinformacionin falas, publiku asnjëherë nuk do të arrijë të gjejë të vërtetën në lajmet e gënjeshtërta.

Informacioni është përmbajtje, dhe përmbajtja cilësore kushton, sepse si në çdo fushë të jetës edhe media është biznes. Por që ky biznes të funksionojë ka nevojë për gazetarë të aftë, njerëz që dijnë të bëjnë pyetjet e duhura, dhe të kërkojnë përgjigjet aty ku është shumë e vështirë për tu gjetur. Në interes të publikut.

Por përse duhet publiku, konsumatori të paguajë për përmbajtjen? Dy janë përgjigjet: Cilësia dhe Besimi.

Në shumë vende të Europës Perëndimore njerëzit paguajnë abonimin në media. Në këtë mënyrë rritet besimi në cilësinë e përmbajtjes dhe informacionin cilësor. Nuk është rastësi që pas një periudhe luhatjesh të mëdha, vdekjes së gazetave tradicionale në treg, si pasojë e zhvillimit të internetit, media tradicionale serioze u detyrua të rishpikë veten për të mbijetuar ndaj mashtrtimit me informacionin e lirë dhe lajmet e rreme. Të dhënat tregojnë se pavarësisht kohërave të vështira, krizave të rënda ekonomike, njerëzit kanë rritur abonimet më mediat e mëdha dhe për shkak të këtij suporti publik ato kanë rifituar besimin për shkak të cilësisë dhe kanë ruajtur njëkohësisht pavarësinë ekonomike, që nga ”New Jork Time”, “Wall Street Journal”l në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Financial Time” apo “The Economist” në Britani, e plot shembuj të tjerë në Francë, Gjermani e Itali. Kjo mënyrë i ka dhënë medias pavarësinë editoriale, i ka rritur cilësinë dhe e ka bërë atë më të përgjegjshme karshi publikut dhe kundër interesave të pushtetit, politik apo ekonomik.

Çfarë do të ndodhte me demokracinë pa një media të lirë

Për këtë arsye, në mënyrë që ky pushtet t’i kthehet dhe mbetet publikut, për interesin e publikut, duhet që publiku të jetë pronari i vetëm. Nuk ka informacion falas, as në kohët e shkuara as tani në kohën e teknologjisë së informacionit, përmes internetit e rrjeteve sociale. Dje, gazetat bliheshin në treg dhe mbijetonte ai që ofronte cilësi dhe besim. Sot ka ndryshuar vetëm vendi se ku njerëzit e marrin informacionin, jo më tezgat e improvizuara në kryqëzimet e lagjeve, por ekrani i aparatit celular apo ai i një kompjuteri. Për të pasur sërish një gazetari cilësore dhe të besuar, publiku duhet ta paguajë përsëri përmbajtjen përmes blerjes, abonimit dhe rregjistrimit. Në këtë mënyrë është publiku që paguan pronari i vërtetë informacionit, dhe jo politika apo biznesi. Dhe në këtë mënyrë media është e detyruar t’i shërbejë publikut me përmbajtje cilësore, e për rrjedhojë interesave të tij, që janë më të gjera se ato të politikës apo biznesit. Eshtë jeta jonë e përditshme, hallet, shqetësimet dhe interesat e gjithësecilit. Vetëm kontributi për gazetarinë cilësore të bën pronar të së vërtetës dhe i jep të drejtën cilitdo të kërkojë llogari për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë