Gazeta Si – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot senatorin amerikan Steve Daines, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim merrte pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.
Begaj ka thënë se vizita e senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm në aspektin dypalësh, por edhe në kuadër të zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Republikës u shpreh se marrëdhëniet me ShBA-të janë të një rëndësie parësore.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e ShBA-ve ndaj Shqipërisë për reformat e forcimit të shtetit ligjor dhe konsolidimit të institucioneve demokratike. Ai vlerësoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti Begaj po ashtu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive të specializuara të dy vendeve për përballimin e sulmeve kibernetike të vitit të kaluar. Ai e informoi senatorin mbi vendimin e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Në takim Begaj evidentoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Begaj dhe Daines diskutuan edhe për efektet që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka prodhuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kreu i shtetit shqiptar evidentoi mbështetjen thelbësore që ShBA-të po japin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



