Nga Gazeta 'Si'- Krerët e partive të vogla në vend shkuan sot në Presidencë, ku u takuan me kreun e shtetit Bajram Begaj në kuadër të konsultimeve për përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.
Në presidencë shkuan kreu i LZHK, Dashamir Shehi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Kreu i PAA, Agron Duka tha për mediat pas takimit se partitë e vogla opozitare kanë propozuar datën 4 maj, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet, duke thënë se duan që të zhvillohen para Samitit të Komunitetit Politik Europian që pritet të mbahet më datë 9 maj në Tiranë. Sipas Dukës kjo mund të ndikojë edhe në zgjedhje.
“Ne propozuam datën 4. Kushtetuta e përcakton 15 prill-15 maj. Më e arsyeshme për ne është maji, por duke qenë se përflitet që me datë 19 ka një aktivitet me pjesëmarrje të kryeministrave të Europës. Kjo mund të ndikojë në zgjedhje dhe mendoj se data 11 është e papërshtatshme. Besoj do të takojë edhe të tjerët presidenti, por në fund të fundit ata që do vendosin dihet se kush janë.
Ne kemi dhënë mendimin tonë. Kushtetuta përcakton 4 të diela, data 1 është e përcaktuar në kushtetutë dhe diskutohet patjetër. Por për shkak se paragjykohet për atë që u thashë, mund të ndikojë edhe në zgjedhje, se i bie të mbyllë fushatën me datë 9, të mbledhë të Europës, të flasë si do ai dhe kjo nuk është normale sipas mendimit tim. Kjo është logjike, ne jemi në opozitë. Ju a mendoni kështu si unë, ka efekt nëse këtu ka një efekt kaq madhor? Po. Edhe PD të njëjtin qëndrim do mbajë”, tha Duka.
Edhe Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka folur pas takimit.
Ai ka thënë se datat fundore janë më të përshatshme për PDIU. Sipas Idrizit, duhet parë vendimi i Kushtetueses për listat e hapura, por edhe për t’i dhënë më shumë kohë, për të kuptuar modalitetet si do votojë diaspora.
“Gjithë partitë politike janë të barabarta. Besoj që presidenti do të ketë konsulta dhe me partitë e tjera dhe do të vendosi një datë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem nga pikëpamja politike, por më shumë nga pikëpamja kohore. Nuk i kam ndjekur të tjerët, jemi këtu për të dhënë mendimin tonë, është presidenti që vlerëson më pas", tha ai.
Konsultimet me përfaqësues të Partisë së Lirisë, do të zhvillohen të enjten më 21 nëntor, ndërsa me Partinë Socialiste dhe me Partinë Demokratike, më datë 25 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.