Nga Gazeta ‘SI’ – Pas kritikave të presidentit Bajram Begaj drejtuar Bankës së Shqipërisë, lidhur me skandalin e mikrokredive, ka reaguar edhe autoriteti financiar.
Në një njoftim për mediat, Banka e quan keqinformim qëndrimin e presidentit që hedh dyshime për mosfunksionim me ose pa dashje të sistemeve mbikëqyërse, që dështuan të parandalojnë një skandal të tillë.
Në reagim, BSH thekson se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbikëqyrje dhe asnjëherë nuk ka kryer paligjshmëri.
Në njoftim Banka vazhdon të sqarojë në rend kronologjik të gjitha veprimet e kryera në drejtim të mikrokredisë ndër vite.
“Mandati ligjor i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar të vendit. Në këtë funksion, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për të administruar rrezikun e kredive joperformuese në sistemin bankar, ka qenë dhe mbetet jetike për të ruajtur qëndrueshmërinë e sistemit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e depozituesve nga rreziku i humbjes së shumave të depozituara në rast të tronditjes së sistemit bankar dhe financiar, nga risku i moskthimit të kredive të marra prej konsumatorëve apo shoqërive tregtare.
Për këtë qëllim, në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”, i cili u nënshkrua nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë, ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen dhe administrimin e kredive me probleme, zgjidhje kjo e cila gjente mbështetje të plotë edhe në parashikimet e Kodit Civil.
Ky aktivitet kryhej tashmë nga disa subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat përveç kredidhënies, mund të blinin portofole të kredive me probleme, pasi licenca që gëzonin nuk e pengonte këtë transaksion. Sipas përcaktimeve rregullative, aktiviteti i kredidhënies ka përfshirë në çdo moment edhe blerjen e kredive me probleme, ndaj në çdo kohë, çdo subjekt i licencuar nga Banka e Shqipërisë për kredidhënie, mund të blinte edhe portofole të kredive me probleme nga bankat ose jobankat.
Rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë (raportim, mbikëqyrje etj.)”
Në aspektin licencues, ky rregullim solli ndryshim vetëm për institucionet e reja që mund të futeshin në treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetëm nga kredi me probleme.
Këto ndryshime, sipas BSH, krahas faktit që ishin një detyrë e lënë nga “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme” i vitit 2015, erdhi si domosdoshmëri edhe për arsye se:
kredia është një produkt financiar dhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet detyrimisht drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë;
është e detyrueshme përmbushja e kërkesave rregullatore për raportimin e të dhënave në Regjistrin e Kredive me qëllim mospenalizimin e qytetarëve për të plotësuar nevojat e tyre për kreditim;
administrimi i riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë, si dhe raportimet periodike pranë Bankës së Shqipërisë janë të një rëndësie të lartë”.
Më tej banka njofton se po punon me asistencën e Bankës Botërore mbi rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
BSH thotë se ankesat e konsumatorëve nuk kanë të bëjnë me detyrën e vetë Bankës por me përmbaruesit.
“Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Gjejmë rastin të ritheksojmë se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekt ekskluziv i Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë”, sqaron BSH.
Banka thotë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë; Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka; Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit; Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele; Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e interesit; Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hartimin e një ligji të veçantë për kamatat ligjore për kredinë konsumatore dhe hipotekare.
“Dëshirojmë të sigurojmë publikun dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave të saj ligjore, ka ushtruar pandërprerë, me përpikmëri, profesionalizëm, integritet dhe fokus mbrojtjen e konsumatorit, të gjitha funksionet e saj mbikëqyrëse e rregullatore, brenda të gjitha hapësirave atribuuar asaj nga ligjet në fuqi. Funksioni i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke gjetur ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit. Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave”, përfundon autoriteti financiar qendror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.