Kosova

Begaj e Nikolla në Prishtinë, mungon Rama: Shqipëria do punojë për t’i siguruar Kosovës njohje të reja

Nga Gazeta ‘Si’ – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit, i shoqëruar nga kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla.

Ndërkohë nga Tirana në Prishtinë nuk ka shkuar kryeministri Rama i cili sipas qeverisë së Kosovës ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit (Rama qëndroi në Prishtinë më 10 qershor dhe nuk zhvilloi një takim kokë më kokë me Kurtin).

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Begaj tha se Shqipëria do të lobojë edhe më shumë për t’i siguruar Kosovës njohje të reja dhe kërkoi që shqiptarët të jenë të bashkuar.

“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, ka thënë Begaj.

Begaj kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-veprimtarin Adem Demaçi e ish-komandantin Adem Jashari si figurat e shquara për Pavarësinë e Kosovës.

“Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Sot nderojmë Adem Demaçin, sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol për Kosovën e pavarur. Nderojmë kryetrimin Adem Jasharin. Sot është dita që kujtojmë të gjithë ushtarët e UÇK. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert. Ndërhyrja e NATO-s ndaloi spastrimin etnik. Ata ishin hartuesit dhe zbatuesit të projektit të shtetformimit të Kosovës”, ka thënë tutje Begaj.

“Ne kemi nevoje që të jemi bashkë, nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyte. Historia na njeh shqiptarët si paqedashës, ne sot kemi përgjegjësinë për të forcuar paqen. Aspiratat tona për integrim janë më të forta se kurrë dhe do të vazhdojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv. Kauza e Kosovës nuk ka përfunduar. Çdo betejë e juaja është beteja jonë.Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës,që e duam dhe e çmojmë fort lirinë.

Si të tillë, sot kemi përgjegjësi të madhe për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin në një hapësirë që frymon vlerat demokratike evropiane. Aspiratat tona për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv. Jemi të vetëdijshëm se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar, por jemi të palëkundur në bindjen tonë se realiteti, Republika e Kosovës, e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme”, deklaroi ai.

“Shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj për të faktorizuar Republikën e Kosovës si shtet që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, i qëndron frymës Euroatlantike, që mban e trashëgon miqësitë që na janë gjendur në ditët tona më të errëta, duke besuar, duke dëgjuar, duke ndjekur e këshilluar nga partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE-ja. Shpreh bindjen se të përulur para sakrificës së dëshmorëve, të përgjegjshëm para historisë dhe guximtarë përpara të ardhmes, Kosova do të ndërtojë një shoqëri ku të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti.

Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Kosova është histori suksesi.

Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!

Gëzuar Ditën e Çlirimit!”, tha ai mandej.

Begaj mbërriti në Prishtinë pasditen e së martës kur pati një takim joformal me presidenten Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë