Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Evropian planifikon që shumë shpejt të organizojë takimin e radhës midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit mbi një propozim të ndërmjetësit Mirosllav Lajçak.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se palët duhet të gjejnë zgjidhje sa më shpejt për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve.
“Më 4 prill, emisari i BE-së Mirosllav Lajçak priti në takim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër diskutimesh mbi një zgjidhje të përkohshme për të adresuar implikimet e Rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme për komunitetin serb të Kosovës. Ky ishte tashmë takimi i katërt për këtë temë në pesë javët e fundit.
Meqenëse, palët nuk mund të kapërcenin dallimet e tyre në propozimet e tyre origjinale, Lehtësuesi i BE-së paraqiti ide mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme. U ra dakord me palët që diskutimet e mëtejshme do të bazohen në idetë e paraqitura nga BE-ja. Emisari i BE-së planifikon të ftojë Palët sërish në javët e ardhshme. Le të kujtojmë se një zgjidhje e përkohshme duhet të arrihet pa vonesa të mëtejshme dhe duhet të negociohet një zgjidhje e përhershme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit”, tha Stano për Rtv21.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pranuar të gjendet zgjidhja mbi bazën e një propozimi i emisarit Lajçak, në të cilin përmendet mundësia e kompromisit.
“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, kishte deklaruar Bislimi pas takimit të fundit në Bruksel.
Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, akuzoi palën kosovare se nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje për çështjen e dinarit. Takimi i radhës në Bruksel midis kryenegociatorëve planifikohet të mbahet brenda 10 ditësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




