Kosova

BE: Takimi i radhës për dinarin në Bruksel mbahet më 15 maj

Nga Gazeta ‘Si’ – Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Gjatë konferencës për media në Bruksel, duke folur për takimin e radhës për çështjen e dinarit, Stano tha se BE-ja pret që palët të dëshmojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila sipas tij, do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Presim që palët të kenë sjellje europiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra europiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano.

Më herët, Stano kishte deklaruar se takimi i 15 majit do të jetë takimi i fundit për temën e dinarit. I pyetur për pritjet që takimi i së mërkurës të jetë vërtetë i fundit, Stano tha se “BE-ja gjithmonë pret që secili takim ku kërkohet zgjidhje për problemet të jetë edhe final, por kjo varet nga gatishmëria e palëve për të gjetur zgjidhje”.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogu për shkak se fokusi tash është në këtë çështje. Ai tha se prioritet mbetet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë