Ekonomi

BE shpenzoi shumë për t’u bashkuar, por nuk po funksionon

Disa prej përfituesve më të mëdhenj të ndihmave janë vatra të pakënaqësisë që po ndan bllokun

Laurence Norman dhe Drew Hinshaw/WSJ – Bashkimi Europian ka shpenzuar afro 1 triliardë dollarë për të bashkuar kontinentin, duke çuar autostrada dhe trena në vende ku dikur kishte rrugë me zhavorr. Me kursin aktual të dollarit, është mbi tetë herë më shumë se Plani Marshall që rindërtoi Europën pas Luftës së Dytë Botërore. BE-ja ka blerë aeroporte dhe ura, tramvaje dhe pishina. Ka  restauruar kështjella dhe kisha mesjetare. Por kjo nuk ka blerë dashurinë.

Për bezdinë e liderëve europianë, disa nga përfituesit më të mëdhenj të financimeve janë sot vatra pakënaqësie, mbushur me votues të shqetësuar nga presionet kulturore dhe politike, që kanë shoqëruar integrimin europian dhe kanë kërcënuar kohezionin e bllokut.

Një kopsht fëmijësh i rinovuar në Lapy, Poloni, qëndron pranë një tabele blu,  ku lexohet “Financuar prej Bashkimit Europian”. BE-ja, që financon një të pestën e buxhetit të Lapy-it, ka përmirësuar sistemin e  ujërave të zeza dhe ka ndërtuar një kompleks zyrash për kompani startup.

Vendasit, ndërkohë,  mbështesin në shumicë partinë nacionaliste që qeveris Poloninë, e cila thotë se BE-ja ka shkelur sovranitetin e vendit, i përul polakët dhe kërcënon vlerat fetare.

“Duhet të ketë respekt”, ka thënë kryetarja e Bashkisë së LApy-it, Urszula Jablonska,  e ulur në zyrën e saj mes një flamuri të BE-së dhe një kryqi. Nëse Polonia do të mbante një referendum të ngjashëm me atë të Brexit, ajo thotë se do të ishte e pasigurt sesi do të votonte. “Do të më duhej të merrja në konsideratë vlerat tona kombëtare.”

Qysh prej viteve 1970, BE-ja ka shpërndarë pasuri përqark kufijve, në një shkallë rrallëherë të provuar, nën programe të quajtura tani “financim kohezioni”. Mes viteve 2000 dhe 2020, BE-ja është në rrugën e shpenzimeve të rreth 858 miliardë dollarëve në rajonet nevojtare apo shtetet, e zgjedhur për shkak se prodhimin ekonomik për njeri, e  kanë nën 90 përqindëshin e  mesatares së BE-së.

Një kopsht fëmijësh, pjesërisht i financuar nga BE, pranë Kishës së Kryqit të Shenjtë në Lapy-n qendror.

Banorët e zonës në një shërbim në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Lapy.

Operacioni flet për një ambicie po aq të madhe sa edhe etiketa e çmimit: Për të ribërë një kontinent prej kombeve, dikur të ndarë nga traumat e shekullit të 20-të, në një Europë të unifikuar politikisht dhe ekonomikisht. Paratë kanë modernizuar infrastrukturën, kanë rritur standardet e jetës në rajonet më të varfër, kanë lehtësuar varfërinë dhe kanë hapur tregje të reja.

Pakënaqësia buron pjesërisht nga dhimbja ekonomike që ky financim nuk mundet ta zbutë, duke  qenë se paratë shpërndahen në 28 shtetet anëtare të BE-së. Të përziera janë edhe debatet më të ashpra mbi çështje si sovraniteti, identiteti kulturor dhe respekti. Shtrihet nga qytete të vegjël në shtetet më të pasur të Europës, Britani dhe Francë, tek rajonet,  në vështirësi në ekonominë post-komuniste me rritje të shpejtë,  si Polonia dhe Hungaria.

Shumë janë ambivalentë rreth projekteve të ndërtimit dhe janë të shqetësuar rreth asaj çka e shoqëron më pas.

“Vendasit nuk kanë ndonjë atashim me këtë rrugë  të ri  apo tullat dhe llaçin”, ka thënë Nick Smith, një ligjbërës i Partisë  opozitare të  Punës  në Uells, zgjedhësit e të cilit votuan në shumicë dërrmuese, më 2016-ën,  që Britania të dilte nga BE-ja.

Përfituesi më i madh i  fondeve të kohezionit të BE-së në Francë është  Nord-Pas-de-Calais, dikur një fuqi industriale e qymyrit, çelikut dhe tekstileve. Në Parlament, përfaqësohet nga  Marine Le Pen,  kandidatja për presidente, e cila propozoi që Franca të mbante një referendum për daljen nga BE-ja.

Të paguash për Unitetin

BE-ja  ka shpenzuar thuajse 1 triliardë dollarë këtë shekull për “kohezionin” me synimin për të unifikuar bllokun.

Financimet e kohezionit nuk e ndalën Brexit-in, ku votuesit u tërbuan me faturën e  Britanisë për BE-në. Buxheti aktual shtatëvjeçar i BE-së , që shkon deri më 2020 –ën, ka rezervuar 2 miliardë dollarë në financim kohezioni për Uellsin perëndimor dhe Luginat uellsiane, një rajon i pikëzuar me uzina të dikurshme çeliku dhe qytete me miniera.

Shumë vendas thonë se financimet e BE-së janë zbehur kundrejt dizavantazheve të anëtarësisë, përfshi detyrimin për të pranuar emigrantë nga vende të tjera të BE-së.  Votuesit e  Blaenau Gwent  favorizuan Brexit me 62 përqind, ndaj 38 përqind të atyre që votuan për të dalë nga BE. Ishte votimi më i lartë “i largimit”  në Uells. “Paratë, morëm hisen tonën, por është më e rëndësishme të shpëtojmë Uellsin”, ka thënë  Ken Sullivan,  një minator qymyri i dalë në pension. Britania u bë “aq e hapur për të huajt, sa ishte shumë e lehtë të pushtoheshe nga kultura të ndryshme.”

 Arritja

Bashkimi në BE u ka dhënë një dorë ekomonimisht,  shumë vendeve të tjera më pak të zhvilluar

E ardhmja e BE-së ende varet në ekuilibrat, veçanërisht tek në ndarjen e qëndrimeve kundrejt refugjatëve, duke çuar në çarje mes shteteve anëtare. Nëse shpenzimet me tepri gjatë dekadave të optimizmit europian nuk mundën të gjallëronin komunitetet e zbehura apo të bashkonin kontinentin, zyrtarët e BE-së shqetësohen se çfarë vjen më pas. Rritja e nacionalizmit është duke vënë përballë vendet më të vogla lindore kundër fuqive më të mëdha perëndimore.

Ky është debati informues mbi buxhetin e shtatë viteve të ardhshëm në BE, që nis më 2021-shin. Paratë e  kohezionit, që llogariten me  më shumë se një të tretën e buxhetit prej 1 trilion dollarësh të BE-së nga 2014-2020, janë të kërcënuara. Pagesat e Britanisë do të nisin të pakësohen pas daljes së planifikuar nga BE-ja, vitin që vjen, që do e detyrojë BE-në të shkurtojë shpenzimet apo kërkesën për më shumë para nga kryeqytetet e Europës.

Kjo rrugë në Lapy, si shumë të tjera në Poloni, u financuan nga BE, por shpenzimet  nuk shkaktoi besnikëri ndaj bllokut, mes polakëve.


Zyrtarët po marrin në konsideratë të kalojnë dhjetëra miliarda euro ndihmë nga vendet e Europës Lindore drejt jugut të saj ekonomikisht në vështirësi, përfshi Italinë anëtare themeluese të BE-së, ku një qeveri e re kundër establishmentit po injekton pasiguri të pastër në të ardhmen e bllokut. “Ky është një ushqim tejet politik dhe jo përllogaritës”, ka thënë Jean-Claude Juncker, president  i komisionit ekzekutiv të BE-së, gjatë konferencës së prillit mbi politikat e kohezionit, në të cilën ai kundërshtoi shkurtimet e thella. “Në thelbin e saj, politika e kohezionit po siguron se shanset e jetës në Europë nuk diktohen… nga rastësitë apo vendlindjet.”

Financimi i kohezionit i ka ndërruar përfituesit, fillimisht përgjatë Mesdheut dhe në Irlandë dhe më pas në vendet ish-komuniste,  që iu bashkuan më 2004-ën. Ekonomitë me rritjet më të shpejta të Europës varen nga qarkullimi i parave. Në 11 prej 28 shteteve anëtare, financimi i BE-së llogariti më shumë se 40 qindarka të çdo euroje , që qeveritë kanë shpenzuar  në infrastrukturë, terrene dhe ndërtesa mes 2015-ës dhe 2017-ës.Në disa vende, si në Europën Perëndimore, BE-ja ndonjëherë e marketon dobët ndihmesën e saj dhe votuesit janë shpesh të paqartë rreth rolit të BE-së në një përzierje financimesh rajonale, kombëtare dhe europiane.


Bagëti që kullotin  në fushat e misrit, pranë  Lapy-it. Fermerët kanë kaluar në rritjen e misrit nga rritja e kallamsheqerit,  që kur  u mbyll fabrika vendase e sheqerit.


Financimi i BE-së mund të mbajë ligje të rënda dhe kushte që përfshijnë dokumente komplekse dhe kufizime në llojet e projektit, duke i  irrituar kështu  përfituesit. Nacionalistët e Europës Lindore  pretendojnë se shumica e parave rrjedhin sërish në kompanitë gjermane dhe franceze të ndërtimit. Vendet donatore janë thartuar ndaj financimeve të kohezionit, pjesërisht për shkak të korrupsionit të përfolur mes përfituesve. Në  Hungari, ku skepticizmi ndaj Europës është i madh,agjencia e  bllokut kundër mashtrimeve thotë se 47.8 milionë dollarë, që  janë shpenzuar duke përmirësuar  llambat e rrugëve përmes kontratave të BE-së  dhënë një kompanie, dikur në pronësi të dhëndrit të kryeministrit Viktor Orban, përmbante “parregullsi të rënda” që mund të përbënin mashtrim.  I dhëndri mohon akuzat. Z. Orban thotë se Hungaria nuk ka më nevojë për paratë e BE-së.

Kush jep, Kush merr

Shumë vende të Europës Perëndimore japin shumë më shumë BE-së sesa marrin prej saj. Në Lindje, është krejt e kundërta.

Në prill, z.Orban fitoi një mandat të katërt, duke bërë fushatë kundër BE-së, e cila tha ai do t’i detyrojë refugjatët drejt Hungarisë. “Ndaleni Brukselin”, lexojnë pamfletet e financuara nga qeveria, të cilat u shpërndanë nëpër shtëpi.  (BE e quan blof të tij. Hungaria, Polonia dhe Çekia përballen me shkurtim të financimeve nën planet aktuale.)Pak përfitues të financimeve të kohezionit janë në konflikt të drejtpërdrejtë me donatorët si Polonia, së cilës i është shpërndarë më shumë se 60 miliardë dollarë,  nën buxhetin aktual të kohezionit.

Partia në pushtet “Ligj dhe Drejtësi”  po zbraz 110 vendet e Gjykatës së Lartë , duke qenë se tetë nga ata gjyqtarë kanë shërbyer nën regjimin komunist. BE-ja thotë se pastrimi nënshkruan pavarësinë e Gjyqësorit duke ndezur kështu një procedurë të papërdorur kurrë, e cila do të gjobiste Poloninë dhe do të kufizonte të drejtat e saj të votimit në bllok. Vendimi pritet ende të merret. Brukseli e ka paditur gjithashtu Poloninë, Hungarinë dhe Çekinë se kanë refuzuar të presin  refugjatët si pjesë e një plani gjerësisht zhvendosës,  në BE.

Vendet donatore, që përfshijnë Francën dhe Gjermaninë duan që shpenzimet e ardhshme të lidhen më ngushtë me përkrahjen e normave të  BE-së Disa votues polakë dhe zyrtarë i quajnë këto kushte, të cilat Brukseli po planifikon t’i adoptojë, si sulme ndaj  sovranitetit  të tyre nga elitat perëndimore armiqësore.

Në Lapy, një qytet me 16 mijë banorë, rrethuar nga fusha me panxharë, banorët kanë votuar 2 me 1 për t’iu bashkuar BE-së, më 2003-shin. Asistenca europiane, megjithatë, pati probleme me financimin e trazirave ekonomike,  pas rënies së komunizmit. Më 2008-ën, dyert u mbyllen në fabrikën e vjetër, në pronësinë e shtetit, që kishte shndërruar 370 mijë tonë panxhar në 60 mijë ton sheqer, çdo vit, duke lënë 250 njerëz të papunë. Fermerët që kishin blerë korrëse të specializuara panxhari,  i panë të mbjellat të kalbeshin. Vendasit fajësuan kuotat europiane të sheqerit. Vitin e ardhshëm, një kantier riparimi trenash, shkurtoi shumicën e 700 punëtorëve të tij.

Njerëzit duke kaluar në një dyqan Rossmann, një zinxhir gjerman që ka shumë dyqane në Poloni.
Lapy, si shumë qyteza dhe qytete në Poloni, ka një hipermarket britanik “Tesco”. 


Supermarketet e huaja u hapën, duke dëmtuar tregtarët vendas. Konsumatorët blenë mallra të importuara me paratë që dërgoheshin në shtëpi nga të rinjtë,  që ishin sistemuar në qytetet e lulëzuara polake dhe vende të tjerë.Liderët fetarë nisën të vënë në diskutim nëse Bashkësia Europiane ndan të njëjtat vlera si një vend me shumicë dërrmuese katolike. Ata kanë parë nga afër sesi Irlanda, një tjetër anëtar katolik i BE-së, votoi për lejimin e abortit dhe martesave të së njëjtës gjini. Shumica e polakëve lanë të kuptohej se dëshironin të qëndronin në BE. Sondazhe të pavarura tregojnë se gjithashtu ndihen dyshues për t’i dhënë Brukselit, kryeqyteti jo zyrtar i BE-së, më shumë pushtet.

BE-ja “do të kishte parapëlqyer që Polonia të mos kishte zë dhe të bënin ç’të donin”,  ka thënë  Tadeusz Brzosko,  një fermer panxhari jashtë Lapy-it. “Ne polakët e njohim mendjen tonë dhe do të shohim ç’na leverdis.” Në vitin 2002, në një samit në Kopenhagë, të titulluar “Një Europë”, liderët europianë hodhën një vizion romantik se çfarë do të arrinin paratë e tyre. Ky takim shkaktoi një debat trevjeçar,  nëse Polonia dhe nëntë shtete të tjerë do të bashkoheshin si anëtarë me të drejta të  plota dhe të merrnin ndihmë ekonomike, të ngjashme me atë që ishte derdhur më parë në Irlandë, Greqi, Spanjë dhe Portugali.

Fondet e zhvillimit mund të ndihmonin duke i kthyer polakët në konsumatorë për produktet dhe shërbimet e Europës perëndimore, pjesërisht duke kompensuar kostot e asistencës, kanë argumentuar avokatë si kryeministri britanik Tony Blair. Kryeministri i atëhershëm i Polonisë, Leszek Miller, thoshte se fondet do të shuanin dështimin e Europës Perëndimore për të shpëtuar Lindjen nga komunizmi. “Kjo ishte bindëse për ta”, ka thënë në një intervistë z.Miller.

Sipërmarrësi  Radoslaw Zaremba qëndron pranë një Fotobudka-je, një kuti automatike fotografish që ua jep me qira të tretëve. Zaremba ka përfituar një grant nga BE-ja  për të nisur biznesin e tij, por e ëma merakoset se do i duhet t’ua kthejë sërish mbrapsht paratë.


Liderët e Europës Lindore u kthyen në shtëpi duke mbledhur paratë e premtuara. Disa, tani thonë se,  kjo krijoi pritshmëri jo reale të ndryshimit ekonomik. Mes entuziastëve të BE-së samiti i Kopenhagës u pa si një hap drejt unionit politik të BE-së, një ide anatemë ndaj lindorëve që sapo kanë shpërbërë hegjemoninë sovjetike. “Ky vizion nuk është ndarë kurrë në shtete si Polonia apo vendet Baltike”, ka thënë  Günter Verheugen,  një politikan gjerman, i cili mbikëqyri  zgjerimin e BE-së, nga 1999 deri më 2004.

Në Poloninë rurale, raporti i fëmijëve në gjendje të ndjekin ciklin parashkollor ka shkuar në 84 përqind nga 2,  që ishte  në vitet 1990, kanë thënë zyrtarët polakë. Pjesërisht falë fondeve të BE-së, prodhimi i Polonisë për kokë ishte parashikuar të kapte 67 përqind të mesatares së BE-së, vitin e shkuar, më shumë se 42 përqind nga 1995. Vendi nuk ka përjetuar recension qysh prej 1992-shit . Polakët pro BE-së ndiejnë se qeveria  aktuale nacionaliste po merr merita rreth rritjes  ekonomike, e furnizuar nga BE, ndërsa fajësojnë BE-në për bizneset vendase, që janë mbyllur gjatë rrugës.

Njerëzit ecin mbi një urë në ndërtesën e mbyllur të riparimit të linjave hekurudhore. Kohëve të fundit, ndërtesa ka nisur të funksionojë sërish, pjesërisht.

Pranë sheshit të qytetit Lapy, një kompleks zyrash financuar nga BE jep me qira dhoma me çmim të ulët për kompanitë startup, disa  prej të cilave kanë marrë grante nga BE. Radoslaw Zaremba  mori 6 mijë e 500 dollarë për të hapur një studio fotografike. Kur 30-vjeçari i  tregoi së ëmës rreth grantit, ajo i tha të kishte kujdes sepse kiushte frikë se Brukseli do i donte sërish paratë e veta mbrapsht, ka thënë z.Zaremba. Për shumë të tjerë rreth Lapy-it, ka thënë ai, “Bashkimi Europian është shumë i largët, nuk është familjar dhe është i frikshëm.” / Përktheu:Suadela Balliu


Fotografia: Piotr Malecki për  The Wall Street Journal


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë