Treg

BE rrit sasinë e rezervave strategjike të gazit

Parlamenti Europian mbështeti planet për të përshpejtuar rimbushjen e rezervave strategjike të gazit të Europës, në mënyrë që familjet dhe bizneset të kenë sasinë e mjaftueshme me gaz për dimrin e ardhshëm, duke parashikuar që konflikti me Rusinë do të zgjasë.

Propozimi, i miratuar me procedurë urgjente të Parlamentit, tani do të negociohet me ministrat e BE-së. Eurodeputetët duan të vendosin një nivel të detyrueshëm minimal prej 80 për qind të gazit në objektet e magazinimit deri më 1 nëntor 2022 dhe 90 për qind për vitet në vijim, në mënyrë që të garantojnë sigurinë e furnizimit dhe të mbrojnë qytetarët nga goditjet e mundshme të zinxhirit të furnizimit.

Të gjithë operatorët e magazinimit do t’i nënshtrohen gjithashtu një certifikimi të ri të detyrueshëm, për të shmangur rreziqet që vijnë nga ndërhyrjet e jashtme. Operatorët që nuk arrijnë të sigurojnë këtë certifikim do të duhet të heqin dorë nga pronësia, ose kontrolli i objekteve të depozitimit të gazit të BE-së. Për më tepër, operatorët nuk do të jenë në gjendje të mbyllin një objekt magazinimi të gazit pa autorizim nga rregullatori kombëtar.

Për të përshpejtuar rimbushjen e rezervave të gazit, ligji i ri do të stimulojë gjithashtu kompanitë e energjisë me një zbritje në tarifat e transmetimit në hyrje-daljet e magazinimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë