Ne rrjet

BE rrezikon të humbasë betejën gjeopolitike për energjinë në Ballkanin Perëndimor

Nga Gazeta 'Si' - Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian, po hedhin hapat e tyre drejt tranzicionit të energjisë së gjelbër, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet shumë pas në këtë proces, duke pasur ende në punë termocentralet e vjetra me qymyr, gjë që sjell në emetime vdekjeprurëse në ajër që i tejkalojnë kufijtë e lejuar.

Pasojat e kësaj gjendjeje janë të tmerrshme, me një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve të parakohshme dhe të problemeve të rënda shëndetësore që po mundojnë popullatat e rajonit. Për të vlerësuar mendimin e opinionit publik mbi politikat energjetike në rajon, Grupi Këshillimor i Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), kreu në periudhën mars-prill të këtij viti një anketë rajonale në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sondazhi tregoi se në këtë rajon ekziston mbështetje e madhe për tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër. 71 për qind e të anketuarve besonin se deri në vitin 2050, vendet e tyre duhet ta marrin kryesisht energjinë nga burimet e rinovueshme. Ndërkohë një përqindje e ngjashme e pjesëmarrësve (67 për qind), mbështetën rritjen e investimeve në burimet vendase të rinovueshme të energjisë si një përgjigje ndaj krizës energjetike.

Por nga ana tjetër, shfaqet një tendencë shqetësuese në lidhje me perceptimet e publikut për aktorët e jashtëm dhe ndikimin e tyre në tranzicionin energjetik të rajonit. Këto perceptime, duket se janë ngjyrosur nga koncepte paragjykuese dhe nga besimet më të gjera që ekzistojnë mbi këto vende.

Për shembull në Bosnje Hercegovinë, vetëm 8 për qind e të anketuarve përmendën Kinën si një ndikim negativ, pavarësisht përfshirjes së Pekinit në industrinë e qymyrit në vend. Në Serbi, 56 për qind e të anketuarve e mbështet rritjen e varësisë nga Rusia për energji, edhe pse monopoli i kompanisë ruse Gazprom në tregun serb të gazit e ka penguar diversifikimin e furnizimit.

Ndërkohë në Kosovë, ku një investim nga një konsorcium turk në sistemin e energjisë elektrike shkaktoi jo pak debate, vetëm 3 për qind e të anketuarve e identifikuan Turqinë si një ndikim negativ. Këto gjetje zbulojnë një hendek të konsiderueshëm midis mbështetjes dërrmuese të publikut për energjinë e rinovueshme, dhe dështimit të tyre për të njohur ndikimin e dëmshëm të aktorëve të jashtëm të investuar në ruajtjen e statuskuosë.

Nëpërmjet kontrollit të tyre mbi mediat, mbajtësit e pushtetit ndërtojnë një imazh pozitiv të disa fuqive të treta, që u shërben për fshehjen e interesave të tyre kryesore dhe për rrjedhojë lë jashtë vëmendjes marrëveshjet e dëmshme për mjedisin.

Është thelbësore të nënvizohet se njerëzit në Ballkanin Perëndimor, informohen kryesisht nga mediat lokale, ku shumica citojnë televizionin si burimin e tyre kryesor. Për pasojë, elitat lokale dhe mediat e tyre miqësore ndaj regjimit, luajnë një rol kryesor në formësimin e perceptimeve publike për fuqitë e treta.

Ata kontrollojnë narrativën, dhe mund të kufizojnë shpërndarjen e informacionit që mund ta sfidojë statuskuonë ekzistuese. Në përgjithësi, elitat vendase nuk janë kalimtarë pasivë ndaj perspektivës së pasigurt energjetike të rajonit. Ato e ruajnë ende fuqinë për të marrë vendime në emër të vendeve të tyre, dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për zgjedhjet energjetike që bëjnë vendet në Ballkanin Perëndimor.

Njëkohësisht, nuk pranohet domosdoshmërisht pretendimi i BE-së, se ajo luan një rol pozitiv në sektorin e energjisë. Një rast i tillë është Serbia. Megjithëse BE-ja është donatorja më e madhe e ndihmës financiare lidhur me sektorin energjetik (165 milionë euro si ndihmë e menjëhershme vetëm këtë vit, përveç më shumë se 1 miliard eurove për këtë sektor që nga viti 2000), vetëm 28 për qind e të anketuarve serbë argumentuan se vendi i tyre duhet të mbështetet më shumë tek BE për sigurinë energjetike të vendit.

Përveç kësaj, 29 për qind besonin se Brukseli ushtron një ndikim negativ mbi zgjedhjet energjetike të Serbisë, krahasuar me vetëm 13 për qind që kanë pikëpamje negative mbi Rusinë. Pikëpamjet pro-ruse ndahen edhe nga serbët në të gjithë rajonin.

Sondazhi zbuloi se përkatësisht 49 për qind dhe 44 për qind e të anketuarve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, besonin se BE-ja po kërkon shumë nga vendet e tyre sa i përket reformave energjetike (krahasuar me 32 dhe 38 për qind, që mendonin se kërkesat janë të përshtatshme apo që BE-ja po kërkonte shumë pak).

Në Kosovë, pikëpamjet e publikut për këtë çështje ishin pothuajse të barabarta. Gjetjet e këtij sondazhi, tregojnë se politikat e BE-së nuk kuptohen apo mbështeten plotësisht në të gjithë rajonin. Thënë ndryshe, Bashkimi Evropian nuk ka arritur të bëjë politikë në rajon në një mënyrë të tillë që ‘recetat’ e saj të pranohen gjerësisht.

Praktika e BE-së për të transpozuar prioritetet e politikës së saj energjetike në Ballkanin Perëndimor, nuk duket se adreson shqetësimet kryesore politike në terren, të cilat lidhen me përballueshmërinë e energjisë dhe ndotjen e ajrit.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të pasigurisë ekonomike dhe varfërinë energjetike në rajon, BE-ja perceptohet nga shumë të anketuar se kërkon shumë, në një kohë ofron një ndihmë të pamjaftueshme. Po ashtu mbetet ende një çështje e debatueshme, nëse përgjigjet ndaj sondazhit mund të kenë reflektuar zhgënjimin e publikut me kërkesat e anëtarësimit në BE.

Nëse është vërtet kështu, atëherë mbështetja publike për reformat e parashikuara nga BE-ja në lidhje me sektorin energjetik, mund të ndikohet negativisht nga procesi i bllokuar i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në rast se ky rajon do ta arrijë pjesën tjetër të Evropës sa i përket tranzicionit drejt energjisë së gjelbër, atëherë publikut duhet t’i sigurohet një informacion i saktë dhe gjithëpërfshirës në lidhje me politikat energjetike dhe investimet e huaja. Edhe elitat lokale duhet të luajnë rolin e  tyre.

Nevojitet një vendimmarrje transparente për ta ndihmuar rajonin të arrijë një të ardhme të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. Në të kundër, aspiratat e publikut për një ekonomi miqësore me mjedisin, rrezikojnë të sabotohen nga axhenda të fshehura, interesa afatshkurtra dhe partneritete gjeopolitike që janë shkatërruese për mjedisin.

Burimi: “London School of Economics”/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim:* Autorët e shkrimit janë Nikolaos Tzifakis, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, Greqi dhe Tena Prelec, asistent/profesore në Qendrën për Studime të Avancuara të Evropës Juglindore (CAS SEE) në Universitetin e Rijekës, Kroaci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë