Teknologji dhe Inovacion

BE propozon rregulla të reja mbi të drejtën e autorit për Inteligjencën Artificiale

Kompanitë që përdorin mjete të IA gjeneruese, si ChatGPT, do të duhet të deklarojnë çdo material të mbrojtur nga e drejta e autorit të përdorur për të zhvilluar sistemet e tyre, sipas një marrëveshje të hershme të BE, që mund t’i hapë rrugën ligjit të parë të plotë në botë që rregullon këtë teknologji.

Komisioni Europian nisi të përgatisë AI Act (Aktin e Inteligjencës Artificiale) thuajse dy vite më parë për të rregulluar teknologjinë në zhvillim të Inteligjencës Artificiale, e cila ka pasur bum investimesh dhe përhapje të gjerë pas prezantimit të chatbot ChatGPT të OpenAi.

Anëtarët e Parlamentit Europian ranë dakord ta avancojnë draftin në fazën tjetër, trilogun, gjatë të cilit ligjvënësit e BE dhe Shtetet Anëtare do të përcaktojnë detajet finale të ligjit.

Sipas propozimeve, mjetet e IA do të klasifikohen në bazë të nivelit të rrezikut të perceptuar – nga minimal në të kufizuar, i lartë dhe i papranueshëm.

Fushat shqetësuese mund të përfshijnë mbikëqyrjen biometrike, përhapjen e keqinformimeve dhe gjuhën diskriminuese. Edhe pse mjetet me rrezik të lartë nuk do të ndalohen, ata që do t’i përdorin do të duhet të jenë shumë transparentë në operacionet e tyre.

Kompanitë që përdorin instrumente të Inteligjencës Artificiale gjeneruese, si ChatGPT apo gjeneruesin e imazheve Midjourney, duhet të deklarojnë çdo material me të drejtë autori të përdorur për të zhvilluar sistemet e tyre.

Sipas një burimi që ka dijeni mbi diskutimet, kjo dispozitë është shtuar brenda dy javëve të fundit. Disa anëtarë të Komisionit patën propozuar fillimisht ndalimin e përdorimit të materialit me të drejtë autori për të trajnuar modele gjeneruese të IA, tha burimi, por ata hoqën dorë në favor të një kërkese transparence.

“Kundër dëshirave konservatore për më shumë mbikëqyrje dhe fantazive të majta të mbirregullimit, Parlamenti arriti një kompromis të mirë që do të rregullojë IA në mënyrë proporcionale, do të mbrojë të drejtat e qytetarëve, do të promovojë inovacionin dhe do të nxisë ekonominë” – tha Svenja Hahn, deputete e Parlamentit Europian.

Fred Havemeyer, analist në Macquarie, deklaroi se propozimi i BE-së ishte “taktik” se sa një qasje “së pari ndalimi dhe më pas pyetjet” i propozuar nga disa.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë