Treg

BE pritet të vendosë çmim tavan për gazin natyror. Shtetet ende nuk janë dakordësuar

Liderët e Bashkimit Europian do të fokusohen në vendosjen e një kufiri në çmimin e gazit, në samitin e 20-21 tetorit.

27 vendet e bllokut kanë qenë të ndarë në lidhje me këtë hap, lidhur dhe me mënyrën se si kjo mund të bëhet në mesin e një krize çmimesh, në pritje të një dimri të ftohtë dhe një recesioni të mundshëm.

Çmimet e gazit janë rritur shpejt pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe sanksioneve të Perëndimit. BE kërkon të vendosë kufi çmimi për gazin, por vendet nuk bien dakord për mënyrën.

Disa vende, përfshirë Gjermaninë, tregun më të madh të gazit në Europë, vazhdojnë të jenë kundër. Ata argumentojnë se kufiri i çmimit do të sjellë rritje të kërkesës për gaz dhe vendet nuk do të kenë më shumë mundësi për furnizim.

Ekzekutivi i bllokut, Komisioni Europian, do të propozojë masat energjetike për të përballuar krizën këtë të martë, pak para takimit të liderëve.

Vendet që mbështesin kufirin e çmimit të gazit, shqetësohen se mos KE tërhiqet nga ky propozim. Drafti i fundit tregon se liderët do të dakordësohen për “një eksplorim të përkohshëm dinamik të çmimeve të gazit”, deri sa BE të vendosë një çmim standard, benchmark.

Drafti përmend dhe se do të mendohet vendosja e një çmimi dysheme për gazin që përdoret në prodhimin e energjisë elektrike që të ulen dhe kostot e saj.

Ambasadorët e BE-së do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Luksemburg, në orët e vona të së hënës, për këtë çështje./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë