Taksa

BE planifikon një tarifë prej 2 eurosh për pakot e vogla të Shein dhe Temu

Bashkimi Evropian ka propozuar një tarifë fikse prej dy eurosh për miliarda pako të vogla të dërguara direkt në shtëpitë e njerëzve, të cilat aktualisht vijnë kryesisht nga Kina.

Taksa e re do të thotë që pakot me vlerë më pak se 150 euro nuk do të jenë më pa doganë.

Vitin e kaluar, 4.6 miliardë pako të tilla hynë në BE, me më shumë se 90% që vinin nga Kina.

Një vëllim i tillë kishte krijuar një ngarkesë të madhe pune për stafin doganor të BE-së, duke sjellë dhe sfida në kontrollin e sigurisë dhe standardin e mallrave.

Brukseli shpreson gjithashtu që një pjesë e të ardhurave të gjeneruara do të shkojnë për buxhetin e BE-së.

Tarifa prej dy eurosh do të zbatohet për pakot e dërguara direkt te konsumatorët, ndërsa pakot e dërguara në depo do të tatohen me një normë më të ulët prej 0.50 eurosh.

Lëvizja e BE-së vjen pas tarifave të reja të SHBA-së për mallrat kineze nën administratën e Presidentit Donald Trump – të cilat përfshijnë një tarifë për pakot e vogla.

Pas negociatave javën e kaluar, tarifa për pakot e vogla me vlerë deri në 800 dollarë u rishikua në 54% nga 120%.

Shitësit me pakicë europianë janë ankuar më parë se përballen me konkurrencë të padrejtë me konkurrentët e huaj, të cilët, sipas tyre, nuk i përmbahen standardeve të rrepta të produkteve të BE-së.

Shein dhe Temu kanë thënë asokohe se do të bashkëpunojnë me rregullatorët dhe standardet e konsumatorëve.

Temu ka 92 milionë përdorues në BE, ndërsa Shein mbi 130 milionë.

Para tarifave të SHBA-së, shitës si Shein dhe Temu janë mbështetur në të ashtuquajturin përjashtim “de minimis” për të dërguar artikuj me vlerë të ulët direkt te klientët pa pasur nevojë të paguanin detyrime ose taksa importi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë