Shkëputja në tokë ka sjellë edhe shkëputjen në hapësirë mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Brukseli ka njoftuar nxjerrjen jashtë satelitit të navigimit “Galileo” të kompanive britanike.
Agjencia Hapësinore Europiane njoftoi se është hedhur me sukses në hapësirë dërgesa e fundit me materiale të prodhuara nga kompania britanike “Surrey Satellite Technology”. Ngarkesa u përkufizua si truri i sistemit të navigimit që gjeneron sinjalet e orientimit gjeografik që rrjeti “Galileo” dërgon në tokë.
Britania e Madhe doli zyrtarisht nga BE më 31 dhjetor. Kjo do të thotë se tashmë me statusin e “një vendi të tretë”, kompanitë e saj nuk mund të përfshihen si më parë në projektet që Bashkimi Europian i konsideron si çështje të sigurisë.
Galileo është kategorizuar si i tillë nga BE dhe vetëm kompanitë nga 27 vendet anëtare mund marrin pjesë në ndërtimin dhe prodhimin e materialeve që lidhen me funksionimin e tij.
“Mund të ketë përjashtime të vogla për disa përbërës që mund të marrim nga Britania e Madhe, në rastet kur nuk i gjejmë brenda BE-së. Por, kjo është situata. Ky është realiteti politik sot”, tha Paul Verhoef, drejtor i navigimit i Agjencisë Hapësinore Europiane, ESA.
Galileo vlerësohet si një prej sistemeve më të sakta të navogimit. Tashmë, me shkëputjen nga BE, qeveria britanike është vënë në kërkim të një shërbimi po kaq të saktë. Ka një sugjerim se Londra mund të përdorë rrjetin e satelitëve të “OneËeb”, i blerë së fundmi nga shteti britanik në bashkëpunim me konglomeratin indian “Bharti Global”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.