Hetuesit e antitrustit të Bashkimit Europian kanë kërkuar dokumente të brendshme që lidhen me akuzat e pretenduara të Facebook për të identifikuar dhe shkatërruar rivalët e mundshëm, duke thelluar hetimin paraprak të autoriteteve në kompaninë e rrjeteve sociale, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, në javët e fundit ka përshpejtuar proçesin e kontrrollit të dokumenteve që lidhen me pretendimet e kompanive dhe politikanëve rivalë se Facebook po e përdor në mënyrë të padrejtë e të pafavorshme aksesin e të dhënave të përdoruesve të rrjeteve të saj sociale me qëllim pengesën e konkurrencës, duke shpërblyer partnerët dhe duke goditur rivalët.
Hetuesit po shqyrtojnë ndryshimet e bëra në sistemin e Facebook-ut në që lejon zhvilluesit e aplikacioneve të kenë akses tek të dhënat, si dhe përdorimin e Onavos nga Facebook, (Onavo është një aplikacion izraelit VPN (i rrjetit virtual privat) i blerë në 2013-ën nga Facebook). Onavo i dha Facebook të dhëna të hollësishme të klientëve nga aplikacioni i tij mbi përdorimin e rrjeteve sociale rivale. Kjo i shërbeu Facebook pasi ai mund të merrte informacione me vlerë për rivalët e tij përpara se ata të bëheshin të mëdhenj e të rrezikshëm për tregun, raportoi Wall Street Journal në 2018.
Facebook, i cili mbylli Onavon vitin e kaluar, tha se e përdori aplikacionin si një nga disa mjetet e tij për të mësuar më shumë mbi tregun e qasjet e tij, si dhe i bëri transparente të dhënat e tij të akumuluara për përdoruesit. Ajo ka thënë se ka mbajtur një marrdhënie të drejte e parimore në punën me zhvilluesit e aplikacioneve, dhe se ndryshimet në platformën e tij janë drejtuar drejt ndërtimit të një biznesi të qëndrueshëm.
Si pjesë e hetimit paraprak, komisioni javët e fundit urdhëroi Facebook-un të prodhonte një grup dokumentesh — përfshirë këtu emaile të brendshme, shkrime në chat si dhe prezantime në lidhje me ato tema — duke përdorur një ligj të BE-së që i ndëshkon ato biznese për mos pajtueshmëri. Juristët e Facebook-ut e kundërshtuan këtë kërkesë, duke argumentuar se urdhërat fillimisht ishin jo të qarta e aq të gjera sa i duhej kompanisë të prodhonte miliona dokumenta, tek të cilat mund të dilnin në pah informacione personale mbi punonjësit e saj.
Si përgjigje, komisioni së fundmi e tërhoqi urdhrin dhe po lëshon një urdhër të ri që zvogëlon qëllimin e kërkesës së tij për dokumenta.
“Ne të mërkurën u vumë në dijeni të një kërkese të ngushtuar. Por gjithsesi jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me rregullatorët ligjorë për pyetje në lidhje me ambientin konkurrues në të cilin ne veprojmë,” tha Timothy Lamb, një këshilltar i përgjithshëm në Facebook.
Interesimi i BE-së për mënyrën se si Facebook menaxhon aksesin e të dhënave e përdoruesve hedh dritë të re në një hetim paraprak që mund të paraqesë një sfidë të madhe për kompaninë. Komisioni Evropian zbuloi hetimin në dhjetor, duke thënë se po shqyrtonte sesi Facebook mbledh dhe monetizon të dhënat, por dha pak informacione të tjera.
Nëse gjatë hetimit zyrtar rezulton diçka që e implikon kompaninë në kundërshtim me ligjet e konkurrencës, BE-ja mund të urdhërojë Facebook të ndryshojë praktikat e saj të biznesit dhe të vejë gjoba deri në 10% të të ardhurave vjetore, të cilat për Facebook do të arrinin në më shumë se 7 miliard dollarë, bazuar në të ardhurat e Facebook-ut në vitin 2019.
Vendimi i Komisionit Europian për të bërë kërkesa detyruese buronte pjesërisht nga mungesa e dukshme e seriozitetit se Facebook do të pajtohej plotësisht, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Disa zyrtarë të Facebook, nga ana e tyre, menduan se kërkesat ishin shumë të gjera dhe përtej mbikëqyrjes së një hetimi antitrust, thanë disa nga ata njerëz.
Në vitin 2017, komisioni europian gjobiti me 110 milion € Facebook (afro 123 milion dollarë në atë kohë) për sigurimin e informacionit të pasaktë ose mashtrues kur BE po rishikonte blerjen e saj të WhatsApp gati tre vite më parë. Komisioni tha që Facebook i kishte mashtruar zyrtarët e BE-së se nuk do të ishte e mundur të përputheshin automatikisht llogaritë e përdoruesve nga të dy shërbimet (Facebook dhe WhatsApp). Facebook tha që gabimet në dosjet e saj ishin të paqëllimta dhe se ajo kishte vepruar në mirëbesim.

FOTO: BART MAAT/SHUTTERSTOCK
Përshkallëzimi i fundit i hetimit antitrust të BE-së në Facebook vjen përpara një udhëtimi në Bruksel që kompania po planifikon për Shefin Ekzekutiv Mark Zuckerberg, gjatë së cilës ai mund të takohet me shefen e konkurrencës në BE, Margrethe Vestager, sipas një personi të njohur me këtë çështje. Zonja Vestager ka si detyrë krijimin e propozimeve të reja për rregullimin e teknologjisë për bllokun europian.
Sipas zonjës Vestager, autoritetet e konkurrencës në BE gjithnjë e më shumë janë përqendruar në mënyrën e përdorimit të të dhënave të gjigandëve të teknologjisë, përfshirë këtu Amazon, Alphabet (apo ndryshe Google) dhe Facebook – në vlerësimin nëse ndërmarrje të tilla po abuzojnë me dominancën që kanë në treg.
Kontrolli antitrust i industrisë së teknologjisë po intensifikohet edhe përtej Atlantikut. Komisioni Federal i Tregtisë i Sh.B.A-së ka ekzaminuar blerjet e Facebook si një pjesë kryesore të hetimit të tij antitrust, duke kërkuar të përcaktojë nëse ato ishin pjesë e një fushate për të goditur rivalët e mundshëm dhe të eliminonin kërcënimet potenciale që vinin nga konkurruesit, raportoi WSJ në gusht.
Departamenti i Drejtësisë, i cili ndan autoritetin e zbatimit të antitrustit me FTC, gjithashtu po shqyrton çështje të mundshme antitrusti që në të cilat përfshihet Facebook.
Grupet mbështetëse dhe politikanët, përfshirë këtu kandidaten presidenciale Senatoren Elizabeth Warren (e pasrtisë Demokratike e shtetit të Massachussetts) dhe një nga bashkëthemeluesit e Facebook-ut, Chris Hughes-në, vitin e kaluar kanë bërë thirrje për ta shpërbërë kompaninë, e cila ka më shumë se 2.5 miliardë përdorues në botë që e përdorin të paktën një herë në muaj platformën, sipas raportit të tij të fundit tremujor.
Zyrtarët e antitrustit po vlerësojnë gjithashtu ndryshimet në rregullat e konkurrencës për të parë nëse ndonjëra prej kompanive të mëdha nuk është në pajtueshmëri me to. Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve, zbatuesi i konkurrencës në Angli, tha në dhjetor se po shqyrtonte rekomandimin e një larmie rregullash të reja, përfshirë atë që do ta detyronte Facebook-un të bëjë disa nga shërbimet e tij të ndërveprueshme me rivalët, për të lehtësuar shfaqjen e konkurrencës.
Kërkesat paraprake dhe kërkesat e dokumenteve të BE-së janë përqendruar pjesërisht në pretendimet e një padie të ngritur kundër Facebook në 2015 nga Six4Three, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Kjo padi, e cila ka çuar në grindje të vazhdueshme ligjore për lëshimin e dokumenteve, buron nga lëvizja e Facebook-ut në vitin 2014 për të kufizuar hyrjen e kompanive të caktuara në të dhënat e përdoruesit duke ruajtur mundësinë e aksesimit të këtij informacioni nga partnerët e saj.
WSJ raportoi për disa nga dokumentat që lidheshin me ato pretendime të vitit 2018, dhe një vendim u lëshua më pas nga Parlamenti i Sh.B.A-së, i cili po konsideron rregulla më të rrepta për kompanitë e rrjetëve sociale.
Një tjetër mori dokumentash nga çështja e nëntorit të kaluar, dhe të rishikuara nga WSJ, përfshinin prezantime të brendshme të Facebook-ut të cilat përmbanin të dhëna nga Onavo e që tregonin kërcënimin konkurrues që disa drejtues të Facebook-ut perceptuan nga WhatsApp, muaj më parë se Facebook të njoftonte blerjen e aplikacionit të chat-it.
/WSJ
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje