Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa ka konfirmuar sot se Bashkimi Europian nuk do të hapë një korridor humanitar për kalimin e emigrantëve nga Afganistani, për të shmangur një tjetër krizë refugjatësh.
Sllovenia aktualisht mban presidencën 6-mujore të BE-së. “BE-ja nuk do të hapë asnjë korridor evropian humanitar ose migracioni për Afganistanin. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës”, shkroi Jansa në Tëitter më 22 gusht.
Në vitin 2015 më shumë se 1 milion njerëz nga Lindja e Mesme, të cilët iknin nga luftërat dhe varfëria arritën në Bashkimin Evropian.
Kryeministri slloven paralajmëroi se unioni do të vendoste kontrolle të ashpra kufitare dhe tha se blloku 27-anëtarësh do të pranojë vetëm individë që ndihmuan misionin e NATO -s në Afganistan.
Mijëra afganë po synojnë të largohen nga vendi pasi kontrollin e morën talibanët pas 20-vjetësh.
Talibanët po u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë në vend dhe kanë ofruar një amnisti të përgjithshme.
Por, afganët kanë frikë nga hakmarrja e tyre dhe ende i kanë në kujtesë vitet e sundimit taliban 1996-2001 kur të drejtat e njeriut në Afganistan shkeleshin në mënyrë brutale.
Talibanët kanë mbyllur pikat kryesore kufitare, por BE -ja është duke u përgatitur për rritjen e emigrantëve që vjen nga Afganistani në planin afatgjatë.
Disa vende të BE-së po bëjnë thirrje që refugjatëve t’u garantohet siguria në vendet fqinje me Afganistanin, para se BE-ja të marrë parasysh pranimin e emigrantëve, përveç atyre që kanë punuar me forcat ndërkombëtare dhe disa individëve të rrezikuar.

Rënia e Kabulit nga talebanët dhe përpjekja kaotike ndërkombëtare e evakuimit tregon se Evropa duhet të zhvillojë kapacitetin e saj ushtarak pavarësisht nga Shtetet e Bashkuara, argumenton shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell.
Në një intervistë për AFP, Borrell tha se fuqitë evropiane do të luftojnë për të evakuuar qytetarët e tyre dhe aleatët afganë para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë operacionin e tyre në aeroportin e Kabulit – ndoshta që në 31 gusht.
Disa aleatë amerikanë i kanë kërkuar Uashingtonit të vonojë këtë largim, siç konfirmoi të premten (20 gusht) sekretari i përgjithshëm i NATO -s Jens Stoltenberg, pasi pa mbrojtjen e 6,000 trupave amerikane të vendosura në aeroport, operacionet evropiane mund të duhet të pushojnë.
Kolapsi tronditës i qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi, skenat kaotike në aeroport dhe frika se një brez i ri refugjatësh afganë mund të përpiqen të shkojnë në Evropë kanë ringjallur bisedimet për Evropën që po zhvillon mjetet për të vepruar vetë.
Misioni diplomatik i BE-së në Kabul ka thënë se 400 punonjës afganë dhe anëtarë të familjes do të kishin të drejtë të emigronin në Evropë-por vetëm 150 kanë qenë në gjendje të largohen deri më tani dhe disa nga avionët e dërguar nga ushtritë e BE-së po fluturojnë gjysmë bosh.
Një e treta e udhëtarëve në një fluturim që mbërriti në Spanjë të shtunën ishin amerikanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




