Kur Kroacia u bë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian kishte ende të pazgjidhur çështjen e kufirit detar me Slloveninë fqinje, që ishte anëtarësuar në union para Zagrebit. Mosmarrëveshjet mes dy vendeve përfunduan në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.
Por, Haga nuk sheshoi dot ndasitë dhe në janar të këtij viti qeveria kroate deklaroi se po mendon tërheqjen e njëanshme nga ky proces, pasi nuk beson te paanësia e panelit gjyqësor.
Për të shmangur një skenar të ngjashëm në të ardhmen, sot Bashkimi Europian kushtëzon anëtarësimin e të gjitha vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor me zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve që kanë me fqinjët.
Një e tillë është edhe kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Komisioneri Johannes Hahn riktheksoi nga Brukseli në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama nevojën e zgjidhjes së kësaj çështjeje për të avancuar në procesin e integrimit. Si shembull solli rastin e Maqedonisë.
“BE nuk do të pranojë asnjë shtet që ka ende konflikte të pazgjidhura me një prej vendeve fqinje. Kjo ka përshpejtuar negociatat në disa vende, si zgjidhja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe një marrëveshje mes Maqedonisë e Bullgarinë. Në këtë frymë është edhe Shqipëria në negociata me Greqinë”, deklaroi Hahn.
Pyetjen mbi ecurinë e bisedimeve me palën greke, Edi Rama e shfrytëzoi për t’iu përgjigjur edhe opozitës në Athinë e Tiranë, ku në të dyja rastet akuzohet qeveria për tradhti.
“Flitet për tradhtarë në të dy anët, në qeverinë greke dhe në atë shqiptare. E vërteta është që të dyja palët gjejnë zgjidhje në interesin më të mirë të vendit dhe popullit të tyre. Kur rezultatet të finalizohen, kushdo që akuzon për tradhti do të turpërohet nga opinioni publik.”, u shpreh ai.
Sa për progresin e bërë…
“Ka çështje që mbulojnë 70 vite histori, që nga ligji i luftës deri tek kufiri detar. Këto janë çështje të vështira dhe ne po përballemi me to me frymën e hapjes dhe vullnetit për t’i zgjidhur. Kemi bëërë progres, por nuk kemi arritur deri aty”, vijoi Rama.
Për kufirin detar me Shqipërinë ka folur edhe Alexis Tsipras, në një intervistë për televizionin grek, ERT. Ai ka deklaruar se negociatat me Shqipërinë për kufirin detar janë drejt fundit.
“Jemi në një pikë shumë të rëndësishme, por nuk mund të themi se kemi përfunduar. Ne jemi shumë afër një zgjidhjeje që ka të bëjë me përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive, një zgjidhje që i jep avantazhe të rëndësishme anës greke, por nuk dua të hyj në detaje”, u shpreh Tsipras.
Tema kryesore e diskutimit mes Ramës dhe Hahn ishin negociatat. Javën e ardhshme Komisioneri pritet që të mbërrijë në Tiranë për të lënë më të detajuara detyrat që duhen realizuar në kuadër të atij që njihet si procesi përgatitor për hapjen formale të bisedimeve të anëtarësimit. Synohet që ekipet të mblidhen brenda muajit korrik. Megjithatë, Hahn e tha në vija të trasha se çfarë kërkohet.
“Procesi përgatitor duhet të bëhet dhe në bazë të cilësisë së punës do të varet edhe shpejtësia me të cilën do të ecin negociatat më pas. Ekipet tona duhet të mënjëherë, para pushimeve verore për punën përgatitore. Reforma në drejtësi mbetet thelbësore dhe Komisioni do të vazhdojë të ndihmojë vendin në zbatimin e reformës në drejtësi”, deklaroi Hahn.
Komisioneri ngriti edhe shqetësimin e azilkërëkuesve. Njohu rënien e numrit të tyre, por sërish tha se për disa vende të BE-së ky fenomen mbetet shqetësues dhe në këtë pjesë ngarkoi qeverinë shqiptare me më shumë sforco.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër vlerësoi mbështetjen e 25 vendeve anëtare të BE-së dhe procesin përgatitor e quan thelb të marrëveshjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE për negociatat me vendin tonë. Si orientim Rama sheh pesë prioritetet.
“Procesi përgatitor është në thelb të kompromisit të arritur nga ministrat e jashtëm, që nëse formalisht negociatat do të hapen në qershorin e ardhshëm, puna përgatitore do të nisë menjëherë. Procesi nuk nënkupton deri në anëtarësim ndonjë lëvizje nga pesë prioritetet dhe është një proces duke u thelluar në pikëpamje të të gjithë aspekteve që mbulojnë pesë prioritetet”, u shpreh ai.
Tusk: Do të mbyllim korridorin shqiptar të emigracionit
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ndoshta jo me energjitë e Komisionerit Johannes Hahn, por ka qenë një mbështetës publik për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në takimin me Edi Ramën vlerësoi arritjet, pa të cilat sipas tij kjo nuk do të arrihej dhe shprehu bindjen tek anëtarësimi.
“Keni bërë një punë të mirë. Vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të jetë anëtare e BE, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, thotë Tusk.
Integrimi është një objektiv i përbashkët i shqiptarëve dhe për këtë Presidenti i Këshillit shprehu dëshirën që të gjitha forcat politike të punojnë së bashku. Bisedimet me Greqinë, Tusk i sheh si provë e angazhimit proeuropian të Shqipërisë.
“Përpjekjet tuaja për të sheshur mosmarrëveshjet e mbetura me Greqinë janë prova më e mirë e zotimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe fqinjësisë së mirë”, thotë ai, duke vlerësuar rolin dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe emigracionit.
Pikërisht për emigracionin Tusk zbuloi se kishte diskutuar me Edi Ramën. Me mbylljen e korridorit Maqedoni-Serbi-Hungari, mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme mbetën të bllokuar në Greqi. Por së fundmi trafikantët kanë gjetur një rrugë tjetër, që kalon përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe më pas Kroacisë. Zyrtarët e BE-së thonë se fluksi nuk është në nivelet e 2015, por mbetet shqetësues.
“Sot diskutuam për të ndalur dhe mbyllur rrugën e re të emigracionit ilegal përmes Shqipërisë” deklaori Tusk, pa dhënë më tepër detaje.
Edi Rama e nisi fjalën e tij me falenderimin personal për kreun e Këshillit Europian dhe duke cekur bisedimet me Greqinë foli sërish për progres.
“E di që nuk ishte e thjeshtë për jo, por në fund ishte me rëndësi që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat dhe ka dritën jeshile për të hapur menjnëherë punën përgatitore. I qëndrojmë zotimit tonë për rrugën drejt integrimit dhe i qëndrojmë zotimit për marrëdhënie të mira me fqinjët tanë jugorë. Kemi bërë progres të mirë në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.