Ne rrjet

BE në pikën e vlimit – Hungaria, beteja për të ardhmen e Europës

Me anë të një vendimi të papritur, Parlamenti Europian vendosi të mërkurën të zbatojë një procedurë për të sanksionuar një nga shtetet e tij anëtarë: Hungarinë. Sipas ekspertëve, ndëshkimi i Budapestit ka hapur tanimë betejën për të ardhmen e Europës.

Edhe pse nëntë muaj para zgjedhjeve të Parlamentit Europian, në peizazhin politik të kontinentit janë shfaqur përçarje të mëdha. Tanimë është e qartë se emigracioni do të jetë tema kryesore e debateve të ardhshme. Vitin e kaluar, Presidenti francez Emmanuel Macron identifikoi dy vende si pengesën më të madhe për integrimin e mëtejshëm europian: Poloninë dhe Hungarinë. Që atëherë të dyja vendet e Europës Lindore kanë vazhdimisht kundër burokracisë së Brukselit, duke mos miratuar asnjë nga vendimet e unionit. Sipas ekspertëve, konservatorët e këtyre vendeve të Bashkimit Europian kanë dalë kundër BE-së më shumë për shkak të kulturës, trashëgimisë dhe traditës, sesa për euron, programet e mëdha të shpenzimeve qeveritare apo harmonizimin e taksave. Në të vërtetë, Hungaria dhe Polonia kanë injoruar prej kohësh indikacionet e unionin europian dhe janë fokusuar tek përpjekjet për të gjetur vlera të përbashkëta shoqërore me konservatorët amerikanë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban 

Retorika agresive e Macron ndaj Polonisë dhe Hungarisë përkeqësoi edhe më tej marrëdhëniet e tyre me elitën drejtuese të Europës. Si zëri më i fortë i BE-së, Macron ka sugjeruar disa reforma ambicioze për Eurozonën dhe Bashkimin Europian, të cilat kanë të ngjarë do të thellojnë edhe më tej përçarjen mes Lindjes dhe Perëndimit të kontinentit.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, nga ana tjetër, beson se BE-ja është duke komplotuar kundër vlerave dhe kulturës europiane. Ai ka sulmuar në mënyrë specifike politikat e emigracionit të ndërmarra nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe miliarderi amerikan George Soros, i njohur për financimin e OJQ-ve të majta si në Europë ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara. Për këtë qëllim,  qeveria hungareze ka ndërmarrë fushata publike, duke vendosur pankarta gjigante në rrugë, me shkrimin “Mos e lejo George Sorosin të qeshë i  fundit”.

Bashkimi Europian ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Orbanit për shkak të përpjekjeve të tij  për të çrrënjosur “ndërhyrjet e  huaja”. Budapesti ka censuruar liritë civile dhe OJQ-të që marrin para nga jashtë Hungarisë përballen me sfida të mëdha, për shkak të një projektligji qeveritar, i cili imponon një taksë prej 25 për qind mbi donacionet që mbështesin emigracionin. OJQ-të e cilësuara si “kërcënim për sigurinë kombëtare” në shumicën e rasteve janë të lidhura me unionin europian. Para zgjedhjeve parlamentare hungareze më 8 prill, Orbán ishte “mprehu shpatën populiste” për të siguruar një shumicë tjetër absolute në parlament. Duke sulmuar kundërshtarët e tij që financohen nga Soros, ai tha se: “Ne po luftojmë kundër një armiku që është ndryshe nga ne. Nuk del publikisht, por rri i fshehur; nuk është i drejtpërdrejtë por dinak; nuk është i ndershëm, por dhelpër; nuk beson në punë, por blen gjithçka me para; nuk ka vendlindje, por mendon se zotëron tërë botën.”

Vitkor Orban dhe Angela Merkel 

Retorika bëri që Brukseli t’i kthente sytë i shqetësuar nga Hungaria, por kjo nuk përbënte problem për Orbanin, i cili tha në vitin 2014 se donte të krijonte një shtet joliberal.  Hungaria nga ana tjetër, ka problemet e saj dhe procedura e nisur nga Parlamenti Europian nuk ka gjasa të përmirësojë situatën. Neni 7 i Traktatit të Lisbonës (i cili ka formësuar funksionimin e BE-së që nga viti 2009) i lejon Parlamentit Europian të marrë masa kundër një shteti anëtar që nuk përmbush kriteret me të cilat u pajtua fillimisht kur ajo u bashkua me BE-në. Pas miratimit të tij, është Komisioni Europian ai që heton situatën. Këshilli Europian (i cili përfaqëson shtetet anëtare të BE) voton më pas nëse do t’i heqë vendit që është vënë “nën gjykim” të drejtën e tij të votimit brenda këshillit. Propozimi mund të kalojë vetëm nëse vendet votojnë në favor me një shumicë prej katër të pestash (Hungaria nuk mund të votojë në emër të vet).

Zbatimi i Nenit 7 tregon mosbesimin e BE-së ndaj Hungarisë. Nëse Bashkimi Europian donte të shtonte edhe më shumë frikën e Hungarisë nga ndërhyrjet e huaja, mund të ripohonte edhe njëherë se emigracioni jashtë BE-së do të mbetet kompetencë zyrtare e shteteve anëtare. Por Brukseli është nën presion nga Italia, e cila dëshiron t’i shpërndajë emigrantët nëpër gjithë Europën. Ndërkohë që Orban dhe lideri de “fakto” i Italisë, Mateo Salvini kanë bashkuar forcat, Emmanuel Macron është i zënë duke mbledhur te dhëna për reformat e tij ambicioze për të ardhmen. Angela Merkel gjendet mes trazirave të brendshme politike mbi emigracionin. Qeveria italiane po kërkon ndryshime të thella mbi emigracionin ndërkohë që vendet e Europës Qendrore janë gjithnjë e më skeptike për centralizimin e pushtetit nga ana e Brukselit. E gjithë kjo po ndodh njëkohësisht me negociatat e Brexit, të cilat planifikohen të përfundojnë në mars të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër negociatat për pranimin e Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë kanë mbetur në vend. Mes gjithë problemeve, Brukseli kërkon tanimë t’u heqë të drejtën e votës anëtarëve të unionin për vendimet e mëdha. Kjo është një krizë e  pashembullt për BE-në!

Burimet: “The Atlantic”, “The Telegraph”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë