Politike

BE: Mjedisi dhe siguria ushqimore asnjë përparim

Nga Gazeta Si- Mjedisi, klima dhe siguria ushqimore nuk kanë marrë notë kaluese në progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në raport thuhet se “Shqipëria ka një nivel të pjesshëm përgatitjeje në fushën e mjedisit dhe klimës dhe nuk ka bërë përparim të dukshëm”.

Elemente që përmenden janë mosmiratimi i ligjeve të reja mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, dy elementë që janë thelbësore në përafrimin me legjislacionin e BE-së.

Të dy këto projektligje ndodhen ende po diskutohen në Komisionet parlamentare dhe ditën e djeshme, grupet e interesit kanë kërkuar që miratimi i projektligjit për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve të rikthehet për konsultime.

Bashkimi i prodhuesve shqiptarë thanë se ky draft nuk është diskutuar me ta.

Komisioni Europian ka përmendur edhe “Paketën e maleve”, duke thënë se kjo mund të ketë ndikime të rënda në përdorimin e tokës.

“Në mars 2025 u miratua e ashtuquajtura “paketa e maleve”, që parashikon lehtësira fiskale dhe leje për investime në pyje e kullota. Komisioni paralajmëron se kjo mund të ketë ndikime të rënda për përdorimin e tokës dhe mbrojtjen e natyrës.”

Ndërkohë, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ende nuk e ka fituar plotësisht besimin në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe politikës fito-sanitare.

Në progres-raport, KE thekson se kemi “një nivel të caktuar përgatitjeje” në këto fusha, por gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar.

Komisioni rikujton se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa nënvizon nevojën që Shqipëria të përforcojë strukturat inspektuese.

“Gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar. Janë miratuar ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve. Megjithatë, janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për përputhjen e legjislacionit të këtij kapitulli me acquis-in e BE-së dhe për zbatimin e tij. Shqipëria duhet të zbatojë politikën kombëtare të miratuar për sigurinë ushqimore”, thuhet në progres-raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë