Treg

BE: Kufiri i çmimit të gazit ka nevojë për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës

Një numër vendesh të Bashkimit Europian po bëjnë presion për një kufi të çmimit të gazit natyror që përdoret për të prodhuar energji, por krahu ekzekutiv i bllokut po paralajmëron se çdo hap i tillë do të duhet të shmangë rritjen e kërkesës ose subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët e huaj. 

Krahu ekzekutiv i bllokut po këshillon anëtarët e BE-së se një kufi i tillë çmimi do të duhet të shtrihet në vendet importuese të energjisë si Britania e Madhe ose Zvicra që të jetë efektiv.

Përndryshe, BE-së do t’i duhet të eksportojë energji elektrike me një çmim më të lartë sesa në tregtinë e brendshme, një lëvizje e ndaluar në një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare me partnerët, tha personi, i cili kërkoi të mos identifikohej pasi bisedimet për këtë çështje janë private. Komisioni qarkulloi pikëpamjen e tij në formën e një dokumenti që përmbledh kostot dhe përfitimet e një kufiri të tillë çmimi.

Kufizimet e çmimeve të gazit kryesojnë axhendën politike në Evropë, ndërsa qeveritë kërkojnë të frenojnë një krizë të paprecedentë energjetike të shkaktuar nga një ndërprerje e dërgesave të gazit nga Rusia, ish-furnizuesi më i madh i kontinentit. Udhëheqësit e BE-së ranë dakord javën e kaluar të vazhdojnë me një paketë masash për të ulur faturat në rritje të gazit dhe energjisë që nxisin inflacionin, duke kërcënuar të shtyjë bllokun 27-vendesh në një recesion.

Disa vende janë të shqetësuara se BE-ja nuk po lëviz me shpejtësi të mjaftueshme për të trajtuar goditjet e çmimeve të energjisë dhe shtrembërimet e tregut.

“Koha ka rëndësi dhe ne duhet të jemi të shpejtë, dhe nuk do ta fsheh që jam pak i zhgënjyer që nuk po ecim përpara sa më shpejt që të jetë e mundur,” Jozef Sikela, ministër i industrisë për Republikën Çeke.

Ndërsa shumica e vendeve po kërkojnë një kufi të gjerë në çmimet e shitjes me shumicë të gazit — të prezantuar përmes një korridori në tregun më të madh virtual të rajonit — një grup më i vogël vendesh dëshiron të kufizojë çmimet e gazit të përdorur për prodhimin e energjisë elektrike, ngjashëm me një model të zbatuar tashmë nga Spanja dhe Portugalia. Për të hyrë në fuqi, çdo kufi i BE-së duhet ende të propozohet nga komisioni dhe më pas të fitojë miratimin nga shtetet anëtare.

Një proces i tillë do të zgjaste të paktën disa javë. Në hapin e parë, ministrat e energjisë të bllokut duhet të arrijnë një marrëveshje për një rregullore të propozuar nga komisioni në 18 tetor dhe t’i hapin rrugën ndërhyrjes në treg, një lëvizje që mund të bëhet në një takim urgjent që pritet në fund të nëntorit. 

Në atë pikë, komisioni do të kishte mandatin për të dalë me një propozim të veçantë për kufijtë e çmimeve që do t’u dërgohet përsëri vendeve anëtare, të cilët do të kenë të drejtën ta ndryshojnë atë. Ndërsa detajet janë të pakta shumë diplomatë thonë se nuk është e mundur që të dy llojet e kufijve të çmimeve të zbatohen në të njëjtën kohë. Çdo kufi i tillë çmimi do të ishte i përkohshëm, duhet të shmangë rrezikimin e sigurisë së furnizimit dhe të shmangë rritjen e kërkesës për gaz në një kohë kur BE-ja po kërkon ta shkurtojë atë.

Vendet ende po përpiqen të bashkohen rreth asaj se si do të dukej në mënyrë specifike një kufi i çmimit. “Sipas mendimit tim, ato nënkuptojnë se ne duhet të parandalojmë kulmet, çmimet e larta spekulative”, u tha gazetarëve në Luksemburg ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck. 

Subvencioni jo vetëm që do të ulte çmimin me të cilin termocentralet me gaz e shesin energjinë e tyre në treg, por gjithashtu do të ulte çmimin e përgjithshëm të kleringut, duke ulur të ardhurat e shoqërive që prodhojnë energji elektrike nga burime të tjera. Disa vende anëtare kanë propozuar që subvencioni duhet të kufizojë çmimin e gazit në ekuivalentin e një çmimi TTF prej 100-120 euro për megavat orë, tha komisioni. 

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë