Nga Gazeta ‘Si’ – Pas deklaratës së shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri si “hap i parë për uljen e tensioneve”, reagoi edhe zëdhënësi i BE-së.
Peter Stano refuzoi që t’i përgjigjet pyetjes së gazetarëve se cili i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, por tha se përgjegjëse për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia.
“Përfaqësuesi i lartë (Josep Borrell) është përfaqësues për politikë të jashtme dhe siguri, dhe ai nuk është aty për të konstatuar se kush, kë ka sulmuar. Ai ka rol për të siguruar që gjithçka të ndërmerret për të ulur tensionet dhe qetësuar situatën. Prandaj, edhe ai po angazhohet për të ulur tensionet. Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”.
I pyetur nëse tensionet në veri nënkuptojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – ka dështuar, Stano tha se dialogu po vazhdon dhe tani është më i rëndësishëm se kurrë.
Borrell tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe mbrëmjen e së hënës ka zhvilluar një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiç.
“Çdo hap tjetër i njëanshëm duhet të shmanget. Si hap i parë, pres nga Kosova të pezullojë operacionet policore të lidhura me ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të ndalen. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar me dy liderët” që të ndalen protestat, tha Borrell.
Shtyhet vizita e Kurtit në Bratislavë
Për të negociuar për zgjidhjen e situatës në veri, I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak u përpoq që të organizonte një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bratislavë të Sllovakisë.
Kryeqyteti sllovak u përmend si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy bartësit e dialogut, për shkak se që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.
Por nga Qeveria e Kosovës thanë se shkuarja e kryeministrit Albin Kurti në Bratisllavë, ku po mbahet një samit për sigurinë, ka qenë e planifikuar, por do shtyhet për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.
Tensionet në veri u rritën që më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Autoritetet e Kosovës fajësuan strukturat ilegale serbe për dhunën në veri, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, bëri përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova që të mos ndërmarrë asnjë masë për hyrjen me forcë në ndërtesat e tri komunave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




