Kosova

BE: Kosova rrezikon rrugëtimin europian nëse nuk themelon Asociacionin

Nga Gazeta 'Si' - Zëdhënësi i Bashkimit Europian (BE), Peter Stano, ka thënë të martën se Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin shumëvjeçar për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend dhe paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja në rrugën e saj drejt BE-së, nëse dështon ta bëjë këtë.

Ai tha se themelimi i Asociacionit është detyrim për Kosovën dhe “kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Europian në nivelin më të lartë, atë të liderëve europianë“.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua paraqiti palëve një draft për statutin që do të kishte ky Asociacion. Palët, fillimisht, thanë se e pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e ka pranuar këtë draft-statut.

Stano e përsëriti se themelimi i Asociacionit lidhet me përparimin e Kosovës në synimin e saj për t’u bërë pjesë e bllokut.

“Nëse Kosova nuk është në gjendje të japë rezultate në këtë drejtim, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se ajo dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve [me Serbinë], që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së“, shtoi ai.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe vazhdojnë të ngulin këmbë se Kosova është e detyruar ta themelojë Asociacionin.

Stano theksoi se çështja e themelimit të Asociacionit vazhdimisht diskutohet në takimet me palët.

Megjithatë, ai tha se në takimin e kësaj javë në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, çështja kryesore do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për dinarin e ndaluar serb në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë