Bashkimi Europian tashmë i ka aplikuar sanksionet ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga një zëdhënës i Unionit i cili shton se këto masa ndëshkuese kanë hyrë në fuqi që në 28 qershor.
“Kosova, për keqardhje, akoma nuk i ka bërë hapat e domosdoshëm. Prandaj BE-ja, siç kishte paralajmëruar në deklaratën në emër të shteteve anëtare më 3 qershor përfaqësuesi i Lartë ka marrë vendim për implementimin e disa masave, shkruhet në reagimin e BE.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Gjithashtu, pezullohet programi i fondeve për Kosovën nga IPA 2024.
Tashmë janë anuluar disa takime të komisioneve të përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë të krijuara sipas MSA-së dhe Kosova nuk është ftuar edhe në disa takime tjera.
Nga BE-ja thonë se “po e monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë dhe ekziston mundësia që edhe ndaj asaj të merren masa nëse nuk sillet sipas pritjeve për shtensionim të situatës”.
Disa nga porositë e BE për uljen e tensioneve janë pezullimi i operacioneve policore pranë komunave, zhvendosja e 4 kryetarëve për të ushtruar detyrën në ndërtesa alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja në veri, ku të garantohet dhe pjesëmarrja e serbëve në to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




