Politike

BE kërkon zgjatje të afateve të vettingut me “konsensus”

Bashkimi Europian i kërkon politikës që të zgjasë afatet e vettingut dhe të organeve aktuale të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mandati i të cilave skadon në korrik të vitit të ardhshëm.

Ambasadori Luigi Soreca theksoi nevojën që procesi të ruajë të njëjtin standard, ndërsa kërkoi që zgjatja e këtyre afateve të bëhet me dakordësinë e të gjitha palëve në Parlament.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka kërkuar zgjatjen e afateve të vetingut, në mënyrë që procesi të shkojë deri në fund për verifikimin e figurës së të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve. Në një deklaratë gjatë një aktiviteti të Këshillit të Larte Gjyqësor, Soreca u shpreh se Kuvendi duhet të nisë konsultimet me të gjithë aktorët. Sipas ambasadorit të BE, ka dosje që duhet të trajtohen ‘në mënyrë urgjente’.

Duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si faktor kyç për integrimin e vendit në BE, Soreca theksoi se do të zhvillojë edhe takime me mazhorancën dhe opozitën për ta çuar më tej përpara këtë reformë.

“Duhet zgjatja e afatit të organeve të vettingut dhe Kuvendi duhet ta konsultojë me të gjithë aktorët. Të zgjatet mandati i anëtarëve të komisioneve të vlerësimit”, tha ai.

Zgjatja e afateve të vettingut kërkon ndryshime kushtetuese. Votat për këto ndryshime PS nuk i ka e vetme dhe i duhet bashkëpunimi me PD. Soreca tha se për këtë qëllim, pas takimit me aktorët e drejtësisë do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e PS dhe të PD.

Soreca foli gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për ndarjen e re territoriale të gjykatave. Ambasadori i BE foli për dosje që janë në vetting që duhet trajtuar me urgjencë.

“Ka dosje që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente. Duhet të ruhet integriteti dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë. Një drejtësi e pavarur është kusht thelbësorë për integrimin në BE. BE ka ndihmuar Shqipërinë me 50 milion euro për këtë”, tha ai.

Sipas Ambasadorit, reforma ka dhënë dhe po jep frytet e saj.

“Kemi 23 procedime të ish-magjistratëve, ku SPAK ka dërguar çështje në gjykatë të-ish gjykatësve të lartë dhe kushtetues. E rëndësishme është që tashmë kemi institucione të drejtësisë funksionale si KLP dhe KLGJ”, tha ai.

Zgjatjen e afateve e mbështesin edhe KLP e KLGj, që janë parashikuar në Kushtetutë si organet ku transferohet vettingut në rastet e përfundimit të mandateve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Të dyja këto institucione thonë se nuk kanë kapacitetet për të vijuar një proces të tillë.

Ndërkohë, nga politika PS ka shprehur gatishmërinë për të votuar këto ndryshime, ndërsa nga PD deri më tani kjo çështje është kaluar në heshtje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë