Politike

BE kërkon përafrim legjislacioni për emigracionin dhe azilin

Bashkimi Europian u kërkon vendeve kandidate për anëtarësim që të përshtasin plotësisht legjislacionet e tyre me standardet dhe rregullat e Brukselit për emigracionin dhe azilantët. Thirrja është bërë pas video-konferencës informale të ministrave të Jashtëm dhe atyre të Brendshëm të unionit.

Takimi u organizua nga Presidenca portugeze dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

“BE duhet të sigurohet dhe të garantojë që emigracioni, në të gjitha aspektet e tij të shndërrohet në një element të rëndësishëm në marrëdhëniet e unionit me vendet e treta. Një emigrim i sigurtë dhe i mirëmenaxhuar mund të shndërrohet në një mekanizëm plotësues në shërbim të politikës së jashtme të BE-së dhe përfitues për partnerët tanë”, deklaroi Borrell në fund të këtij takimi.

Presidenca portugeze kërkoi më shumë bashkëpunim me vendet e treta, sidomos me vende që shpresojnë që një ditë të jenë anëtare me të drejta të plota në BE.

“Çdo politikë e BE në lidhje me emigracionin, që të ketë sukses duhet të hartohet e zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me vendet e treta partnere dhe mesazhi ynë sot është i qartë; veproni tani. Është koha për rezultate. Do të punojmë së bashku për të ndërtuar një bashkëpunim mbi emigrimin, që të jetë i mirëfarkëtuar dhe ku merren për bazë edhe përparësitë e partnerëve tanë”, deklaroi ministri i Brendshëm portugez, Eduardo Cabrita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë