Nga Gazeta 'Si' - Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar të martën si “hap të duhur” drejt zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA vendimin e Kosovës për heqjen e kufizimit ndaj importit të mallrave nga Serbia një ditë më parë.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti vendosi të hënën ta heqë kufizimin ndaj mallrave nga Serbia në pikën kufitare në Merdare, ndërsa të martën ky pikëkalim u hap për mallrat serbe.
BE-ja e ka parë si “lajm të mirë“ vendimin e Qeverisë së Kosovës me shpresë se, në këtë mënyrë, është hapur rruga për sukses të samitit të Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet javën e ardhshme në Gjermani.
Burime diplomatike në BE thanë për Radion Evropa e Lirë Gjermania ka punuar për ta zgjidhur çështjen e asaj bllokade, ndërsa të hënën, Gjermania i ka njoftuare dhe vendet e tjera për ecurinë e bisedimeve me Kosovën dhe me Serbinë.
Ato thanë se akoma nuk i dinë të gjitha hollësitë nga bisedimet rreth CEFTA-s sepse, përveç heqjes së kufizimit ndaj mallrave nga Serbia nga ana e Kosovës, duhet gjetur edhe modalitetin për pjesëmarrjen e Kosovës dhe një zgjidhje me të cilat do të pajtoheshin të gjitha palët.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend - UNMIK.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pa vendimit se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka rikujtuar rëndësinë që CEFTA-s ka për tregun rajonal dhe ka përsëritur mbështetjen e fuqishme të bllokut për këtë.
“BE-ja mbështet tregtinë e lirë të mallrave në gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s. Kjo është kyçe për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal dhe pjesë përbërëse e planit për rritje në rajon, dhe të dyja këto sjellin përfitime të dukshme për qytetarët në të gjithë rajonit“, tha Stano.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.