Shendet

BE-ja rekomandon që pasagjerët nga Kina të paraqesin test negativ për COVID-19

Zyrtarët e qeverive të Bashkimit Europian rekomanduan që pasagjerët që udhëtojnë nga Kina për në BE duhet të kenë test negativ për Covid-19, para se të nisen për në Europë.

Ky rekomandim vjen në kohën kur Pekini po përgatitet të lehtësojë masat e udhëtimit, pavarësisht se shteti po përballet me një valë të re të infektimeve me sëmundjen COVID-19.

Rekomandimi u bë nga Grupi i Integruar Politik për Përgjigje ndaj Krizave – që përbëhet nga zyrtarët e 27 shteteve të BE-së – dhe është në linjë të njëjtë me rekomandimin e bërë paraprakisht nga Komisioni Europian.

Pekini planifikon që të lehtësojë kufizimet për udhëtime më 8 janar, pavarësisht një vale të re të infektimeve që ka ngarkuar spitalet dhe morgjet në Kinë.

Grupi i BE-së po ashtu rekomandoi që të gjithë pasagjerët në fluturimet për dhe nga Kina, duhet të mbajnë maska. Po ashtu u tha se qeveritë e BE-së mund të aplikojnë testime rastësore të pacientëve që arrijnë nga Kina dhe po ashtu do të marrin mostra dhe të testojnë ujërat e zeza nga avionëve që vijnë nga Kina.

Testin negativ për udhëtarët nga Kina e kërkojnë autoritetet në Spanjë, Francë dhe Itali.

Kina tashmë ka kundërshtuar këto veprime, duke paralajmëruar për “kundërmasa” nëse një politikë e tillë do të vendosej në mbarë bllokun evropian.

Pekini, pas pothuajse tre vjetësh, muajin e kaluar njoftoi për lehtësimin e masave.

Rastet me koronavirusin e ri fillimisht ishin regjistruar në fund të vitit 2019 në Kinë. Që atëherë, ky virus ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë