Kosova

BE mbyll kufijtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Këshilli i Bashkimit Europian ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta, ndaj të cilave nuk ka pasur kufizime për udhëtime në UNION. Në një njoftim, Këshillit të BE-së thekson po ashtu se kufijtë do të mbyllen edhe me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shtetet e Bashkuara, Libanin dhe Izraelin.

Sipas njoftimit të BE-së udhëtimet që nuk janë të domosdoshme do të jenë të ndaluara. Megjithatë, ky vendim nuk i ndalon shtetet anetare që të heqin kufizimet për personat plotësisht të vaksinuar nga këto shtete, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.

Rritja alarmante e numrit të të infektuarve dhe numrit të vdekjeve ka bërë që Bashkimi Europian të ndryshojë listën e vendeve të sigurta.

Cilat do të jenë kufizimet, kjo do të varet edhe nga vendet anëtare të BE-së pasi disa prej tyre edhe më herët, pa e pritur vendimin e Këshillit, kishin vendosur kufizime duke kërkuar testet negative nga ana e udhëtarëve.

Sipas burimeve brenda BE-së, nga vendet të cilat nuk janë në listën e “shteteve të sigurta”, nuk lejohet fare hyrja në BE. Përjashtim përbëjnë udhëtimet e punës dhe ata që kanë leje qendrim në BE.

Por, edhe ata mund të detyrohen të vendosen në vetizolim për një periudhë të caktuar kohore.

Kosova ishte vendosur në listën e vendeve të sigurta në fund të muajit qershor, pikërisht në prag të pushimeve verore. Në atë kohë, numri i të infektuarve ishte shumë i ulët.

Por të hënën në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima dhe 932 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Nga numri i përgjithshëm i të testuarve, mbi 12 për qind kanë dalë pozitivë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë