Politike

BE i pezullon Shqipërisë fondet për bujqësinë, pas hetimeve për korrupsion në zbatimin e IPARD II

Nga Gazeta 'SI' - Komisioni Europian ka pezulluar fondet miliona euro për bujqësinë në Shqipërinë nga programi IPARD III. Pas lajmeve në media paraditen e kësaj të mërkure, ishte Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë që sqaroi vendimin e marrë në kuadër të një hetimi që ka nisur Brukseli, pas akuzave për korrupsion me këto fonde në Shqipëri.

“Komisioni Europian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaron për A2CNN zyra e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Gjithsesi, Delegacioni i BE thotë se hetimi është ende në vazhdim dhe në përfundim do të shqyrtohet nevoja për masa të tjera.

“Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Europian”, sqaron Delegacioni i Bashkimit Europian.

Hetimi ka nisur që në vitin 2021, nga zyra Kundër Mashtrimi në BE, OLAF. Po atë kohë në godinën e ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së pati një operacion nga OLAF ku u sekuestruan disa kompjutera.

Mediat cituan një pjesë e letrës së Komisionit Europian, për institucionet shqiptare të Bujqësisë dhe Financës.

“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,” shkruhet në letrën e Wolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG AGRI, drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.

IPARD III, nisi në mars të këtij viti dhe parashikonte që deri në fund të vitit 2026 të disbursonte 146 mln euro për bujqësinë shqiptare.

Shqipëria u bë pjesë e IPARD III pas IPARD II që nisi në vitin 2014 dhe përfundoi në vitin 2021, me një fond total të disbursuar rreth 90 mln euro.

Vitin e shkuar, fondi në dispozicion u rrit bashkë me ata që mund të përfitonin.  Fermerët shqiptarë aplikonin pranë AZHBR-së duke plotësuar kriteret e vendosura, që nga makineritë bujqësore e deri tek kultura e mbjellë dhe më pas përzgjidheshin fituesit. IPARD III është ende në zhvillim.

Pezullimi i fondeve nga BE, Berisha: Të hetohen edhe projektet e infrastrukturës

Pas konfirmimit të lajmit, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti ‘një zhvillim të mirë’ faktin që BE po vepron për të kapur kleptokratët që shpërdorojnë paratë e qytetarëve europianë. Ai i bëri thirrje Komisionit Europian, që të ndjekë të njëjtën rrugë për projekt në infrastrukturë në Shqipëri.

“Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, është shprehur Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë