Analize

BE i kërkon Albin Kurtit rinisjen e dialogut me Serbinë

Urimet dhe mesazhet e përzemërta për marrjen e detyrës së Kryeministrit të Kosovës shpejt ja lënë vendin sfidave me të cilat duhet të përballet Albin Kurti dhe njëra prej tyre është edhe dialogu me Serbinë.

Mesazhin e parë për këtë temë, Kryeministri i ri i Kosovës e mori nga Brukseli nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell. Përmes një deklarate të shpërndarë nga zyra e tij e shtypit, Borrel mirëpret formimin e Qeverisë së re dhe votimin e saj në Parlamentin e Kosovës dhe fill pas kësaj cek temën e dialogut me Serbinë.

“Presim që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian të fillojë sa më shpejt për të ndihmuar në arritjen dhe garantimin e marrëdhënieve normale mes dy vendeve. Status quo-ja aktuale nuk mund të tolerohet. Nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveçse rifllimi sa më parë i dialgout për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Borrell.

Në të njëjtën deklaratë, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian nuk e përmend nominalisht nismën për “Shengenin Ballkanik”, por duket se nënkupton që Kosova duhet të përfshihet në të.

“Presim të shikojmë një angazhim të rinuar të Kosovës në nismat dhe strukturat e bashkëpunimit rajonal, nga të cilat do të përfitojë edhe vetë Kosova”, vijon deklarata. Borrell paralajmëron se sfida me të cilat po përballet Kosova janë të mëdha, por është optimist se vendi ka kapacitetet për t’i tejkaluar ato.

Por, të dyja temat për të cilat Borrell kërkon përfshirjen e Kosovës janë kundërshtuar në të shkuarën nga ana e Albin Kurtit. Kryeministri i ri i Kosovës ka kundërshtuar dialogun me Serbinë dhe në vend të tij është zotuar për vendosjen e reciprocitetit politik dhe ekonomik ndaj Beogradit. Për këtë çështje, aleati i Kurtit, Isa Mustafa ndaj një qëndrim më të moderuar, ndërsa sa i takon nismës për “Shengenin Ballkanik”, që të dy ata kanë shprehur kundërshtimin duke e cilësuar këtë nismë si “ide të Beogradit” për të ringjallur Jugosllavinë e re.

Më herët, marrja e detyrës dhe formimi i qeverisë së re është përshëndetur nga ambasadorët kryesorë në Prishtinë, kërkesa kryesore e të cilëve ka qenë forcimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët.

“Urime vendit dhe qytetarëve të Kosovës, që pas një pritjeje të gjatë kanë Qeverinë e tyre. Ne jemi këtu për të mbështetur në qëllimet e përbashkëta që kemi. Kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij i dëshiroj forcë dhe guxim”, shkroi në Tëitter ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

Edhe mesazhi i ambasadorit të SHBA, Philip Kosnett në thelb kishte të njëjtën përmbajtje. “Gati të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, partitë politike dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë e zhvillimin dhe për të ndihmuar Kosovën që të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj”, deklaroi ai në Twitter.

Ambasadori britanik paralajmëroi sfida të vështira që e presin përpara qeverinë “Kurti”. “Ka një rrugë të vështirë përpara për Qeverinë e re me çështjet urgjente që duhet të trajtohen, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në plotësimin e realizimin e dëshirës dhe shpresës për të gjithë qytetarët”, komentoi ambasadori britanik, Nicholas Abbot.

Qeverinë e Albin Kurtit e përshëndeti edhe Presidenti Hashim Thaçi, që tha se tani është koha për punë për të kompensuar ditët e humbura në përmbushjen e premtimeve të dhëna për qytetarët. “Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore” shkroi Presidenti Thaçi.

Ramush Haradinaj, që nuk e priti në zyrë Albin Kurtin për t’i dorëzuar çelësat e pushtetit, u tregua më i rezervuar në urimin për qeverinë e re. “Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët e Kosovës. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë