Bashkimi Europian nuk ka ende një përgjigje nëse do ta ndryshojë metodologjinë e integrimit, por ka vendosur të ndajë më shumë fonde për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë që është duke shqyrtuar propozimin francez për negociatat, Këshilli i BE-së duket se është duke u përpjekur të tregojë se është i angazhuar në rajon.
Brukseli arriti një marrëveshje për buxhetin e unionit për vitin 2020, i cili kap shifrën e 168.7 miliardë eurove, që fondet për Turqinë t’i kalojnë Ballkanit. Edhe pse nuk dihet ende shuma e ndarë për vendet e rajonit, ajo raportohet të jetë shumë më e lartë sa shumat e ndara për Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.
Fondet e reja për Ballkanin Perëndimor (një shumë ende e paqartë) vijnë ndërkohë që Franca ka propozuar një model të ri për vendet e rajonit. Ministrat e BE gjithashtu planifkojn të ndajnë më shumë fonde për të fuqizuar sundimin e ligjit në Ballkan në kornizën shumëvjeçare financiare për vitet 2021-2027.
Kersti Kaljulaid, presidentja e Estonisë, i tha “Financial Times” pas miratimit të buxhetit se fondet e ndara për rajonin ishin një sinjal se zgjerimi i BE-së nuk ka prekur ende fundin. Ajo paralajmëron se do të ishte “moralisht e papranueshme” për vendin e saj, i cili u bashkua me BE-në në vitin 2004, të pranonte një situatë ku “autobusi i BE-së i mbyll dyert ” vendeve të Ballkanit.
Propozimi francez për rishikimin e procesit të pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte tema që ngjalli më shumë debat në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të martën, në Bruksel.
Pas takimit, Ministrat e jashtëm të Francës, Holandës dhe Austrisë u thanë gazetarëve se Komisioni i ri Europian do ta diskutojë modelin francez mbi metodologjinë e re dhe idenë e riorganizimit të procesit të pranimit sapo të marrë detyrën.
Ministrja franceze për Europën Amélie de Montchalin u tha gazetarëve se të gjithë ministrat ranë dakord se procesi i zgjerimit do të riorganizohet në të ardhmen. Ajo gjithashtu theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të padiskutueshme për t’u anëtarësuar në BE.
“BE po u kërkon vendeve të rajonit të vazhdojnë reformat “, tha De Montchalin, duke shtuar se reformat në rajon dhe rishikimi i procesit duhet të vazhdojnë njëkohësisht. “Deri në pranverën e ardhshme do të jetë e qartë se sa i kanë zbatuar Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria reformat e kërkuara”, tha Ministrja franceze
Por duke folur pas bisedimeve, një diplomat europian zbuloi se Franca mbetet e izoluar kur bie fjala tek negocitat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare mbetet në favor të një hapjeje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha ai, për “France 24”.
“Ata kërkuan që diskutimi për reformimin e procedurave të anëtarësimit të mos përdoret për të vonuar hapjen e negociatave ose për të krijuar një pengesë,” shtoi burimi. Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Mina Andreeva ka sqaruar se deri më tani Brukseli nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për të ndryshuar procedurat.
Vincenzo Amendola, ministri i Italisë për Çështjet Europiane tha se Roma nuk kishte asnjë problem në diskutimin e metodologjisë”, por se “objektivi kryesor” duhet të jetë hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjashtë vende i shkruan një letër kreut në largim të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, duke kërkuar hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën.
Austria, Çekia, Italia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia thanë gjithashtu se “konsolidimi i Europës nuk mund të përfundojë pa Ballkanin Perëndimor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.