Instrumenti i ri IPAIII do ta ndihmojë Shqipërinë në procesin e zgjerimit dhe do të ofrojë deri në rreth 600 milionë Euro mbështetje për të, financim i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet.
Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit), e cila do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).
Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe vendet kandidate të mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.
Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë, decentralizimi, qeverisja vendore dhe shoqëria civile.
“Hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri, por lidhja jonë ka qenë gjithmonë shumë e fortë. Për vite me radhë, BE-ja ka qenë mbështetësi më i madh i reformave në Shqipëri duke ofruar pothuajse 100 milionë Euro në vit për programe në fusha si reforma në drejtësi, bujqësia dhe shumë fusha të tjera që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky ratifikim e vazhdon këtë partneritet të fortë me një paketë të re dhe më të madhe mbështetjeje për ta ndihmuar qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve”, tha ambasadorja Christiane Hohmann, shefe delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



