Nga Michael Keating-Bashkimi Evropian ka sot mundësinë të surprizojë kritikët e tij, duke marrë një rol qendror në dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Pas incidentit të rëndë në Banjskë në fund të shtatorit që tregoi potencialin për dhunë, është hartuar një plan ndërkombëtar, teksa palët kanë sinjalizuar pranimin e tij në parim.
Në këtë qasje duhet ecur më tej, sepse dështimi për ta shfrytëzuar këtë moment, krijon hapësirë për pasjen e një dinamike të mëtejshme negative në terren. Por ajo do të ndikojë edhe tek besueshmëria e Perëndimit dhe e BE-së tek vendet e saj fqinje, në një rajon të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti si shenjestrën e mundshme të ardhshme ku Rusia do të shkaktojë trazira.
Është thelbësore që të frenohet spiralja aktuale në përkeqësim të vazhdueshëm, dhe në mënyrë ideale të merren përfitime pozitive nga investimi në rajon. Thelbi në procesin e normalizimit ishte marrëveshja e vitit 2013, e cila parashikonte integrimin e rajonit verior me shumicë serbe në institucionet qëndrore të Kosovës.
Më pas pasoi një periudhë stanjacioni, ku çdo vit ishte më i keq se paraardhësi. Në vitin 2022, situata degradoi më tej me protesta dhe përplasje mes serbëve vendas dhe policisë në veri të Kosovës. Ishte e qartë se pa veprime vendimtare, situata do të përkeqësohej.
Kjo bëri që diplomatët francezë dhe ata gjermanë të hartonin me shpejtësi një plan, me sa duket në koordinim të ngushtë me lehtësuesin e dialogut, të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak. Ai u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, u miratua nga Brukseli dhe u pranua përfundimisht nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Lëvizja e Perëndimit u duk se funksionoi dhe palët ishin pranë një momenti historik. Mund të merrte njëherë e mirë fund cikli i krizave në veri të Kosovës, dhe të çohej në një nivel tjetër procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.
Megjithatë, kjo e fundit nuk ndodhi. Zbatimi i marrëveshjeve mbetet ende i bllokuar dhe përpara janë një sërë problemesh. Këtu përfshihet edhe paqartësia rreth pranimit të marrëveshjes nga palët, e pasuar nga shkeljet e zotimeve si dhe një përshkallëzim i situatës pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës në veri dhe një përleshje masive midis serbëve vendas dhe paqeruajtësve të NATO-s, që la të plagosur afro 100 ushtarë.
Më pas erdhi sulmi paraushtarak serb në Banjskë më 24 shtator, që u cilësua si përshkallëzimi më i keq i situatës në një dekadë, dhe që shkaktoi vdekjen e një polici të Kosovës dhe 3 viktima në mesin e sulmuesve. Atëherë, çfarë mund të bëhet? Disa do të thonë “asgjë”.
E pse duhet të shqetësohemi, në rast se palët refuzojnë të shohin ndonjë vlerë apo dobi në procesin e dialogut? Po ku na çon e gjitha kjo? Tek më shumë mundësi për t’u përballur me stanjacion, tek një lojë më e lirshme për ndikime të padëshiruara, dhe ndoshta edhe në një konflikt të armatosur dhe akoma më shumë gjakderdhje.
Çfarë do t’i shkaktonte një skenar i tillë besueshmërisë së BE-së dhe aleancës euroatlantike, përtej humbjes së dukshme të jetëve njerëzore dhe dëmtimit të infrastrukturës? Ballkani Perëndimor ka qenë një rajon ku ka pasur një ndërhyrjes së fortë nga ana e Perëndimit.
Ndaj çdo dështim në këtë rajon, është gjithashtu një dështim për Perëndimin. Vëmendja perëndimore është e vetmja gjë që e bën të funksionojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.
Ajo duhet të forcohet më tej. Dialogu duhet të rigjallërohet.
Kjo është mënyra më e mirë për të shprehur vendosmërinë e Perëndimit. Dhe ai duhet të përfshijë një mekanizëm për një mbikëqyrje intensive të tij. BE-ja dhe partnerët e saj kryesorë perëndimorë, duhet të formulojnë një sërë masash të ndërlidhura në këtë proces dhe të këmbëngulin në pranimin e tyre të plotë nga palët e përfshira në dialog.
Ata do të punonin në unison për të nxitur një vrull të ri në këtë proces. Po si mund të arrihet diçka e tillë? Hapi i parë është fuqizimi i rolit të Bashkimit Evropian, duke i dhënë ndërmjetësit të BE-së autoritetin për të denoncuan shkeljet nga secila palë dhe për të bërë deklaratat përkatëse.
E përballur me një pasiguri në rritje, Brukseli duhet të vendosë këmbën tek “gazi” dhe jo tek “frenat”. Kjo qasje do të jetë vendimtare për të siguruar marrëveshje të plotë nga të dyja palët në planin që ka qenë në tryezë që nga muaji tetor i këtij viti.
Ajo duhet të shndërrohet në një pikë referimi qendrore për matjen e pajtueshmërisë së palëve me marreveshjet. Një element tjetër thelbësor, do të jetë miratimi i një sërë masash për të vendosur sanksione dhe marrë masa ndëshkimore ndaj palës që vazhdon të kundërshtojë apo mos të zbatojë pikat e marrëveshjeve të arritura, dhe nga ana tjetër për të shpërblyer palën që është korrekte me atë që është arritur në tryezën e bisedimeve.
Pra ndaj Serbisë dhe Kosovës, duhet të përdoren sipas rastit edhe “karota” por edhe “shkopinj”. Kjo do të siguronte një kontroll të menjëhershëm të shkeljeve të marrëveshjeve paraprake, dhe do të bëhej si mjeti kryesor parandalues për degradimin e situatës dhe hedhjen në erë të gjithë punës së bërë deri më tani.
Qasja e re, do të ishte më e besueshme nëse plani do të kishte edhe një element sigurie. Në përputhje me atë që nisi të bëjë NATO pas ngjarjes së rëndë në Banjskë, ajo duhet të përfshijë angazhimin për të përforcuar ndjenjën e sigurisë në Kosovë, dhe për të rritur angazhimet e ndërsjella të stabilizimit për veriun e vendit.
Po ashtu, do të nevojitet një mekanizëm i pavarur mbështetës i monitorimit dhe zbatimit të marrëveshjeve nga ana e shoqërisë civile, për të siguruar qëndrueshmëri dhe vijimësi. Në rrethanat aktuale, kjo qasje mund të duket si e vështirë për t’u adoptuar.
Por alternativa ndaj saj është shumë më e keqe. Ballkani Perëndimor rrezikon të vlojë nga tensionet e mëtejshme, por edhe nga shpërthimi i një konflikti të ri të armatosur. Rajoni ka qenë në përgjithësi një shembull pozitiv i ndërtimit të paqes ndërkombëtare – me në qendër Bashkimin Evropian – dhe suksesi në tejkalimin e problemeve aktuale mund të japë një nxitje shumë të nevojshme të besimit në një kohë të pasigurive në rritje.
Burimi: Euractiv/Përshtati Gazeta Si
Shënim:Michael Keating, drejtor ekzekutiv ndërsa Senad Shabović është këshilltar i Institutit Evropian të Paqes (EIP).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




