Ne rrjet

BE diskuton sërish hapjen e negociatave në nëntor!

Liderët e Bashkimit Europian do të përballen sërish me vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedonia e Veriut në nëntor.

Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka propozuar hapjen për të katërtën herë të këtij diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, muajin e ardhshëm.

Gazeta europiane “Politico” raporton gjithashtu se Presidenti i ri i Këshillit Europian Charles Michel, mandati i të cilit do të fillojë më 1 dhjetor, ka rënë dakord për t’i vendosur sërish negociatat në agjendën e mbledhjes së Këshillit atë muaj.

“Sidoqoftë, Franca nuk pritet të zbusë pozicionin e saj të paktën deri në mars të vitit të ardhshëm, kur të zhvillohen zgjedhjet lokale”, thotë një diplomat i BE-së për “Politico”.

Pas mbledhjes së javës së kaluar, Këshilli Evropian njoftoi se do t’i kthehej çështjes së hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë Samitit të të Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj 2020.

Por pasi krerët e institucioneve të BE-së dhe një sërë liderësh të vendeve anëtare kritikuan ashpër Francën për vendosjen e vetos për të dyja vendet, unioni mund të ndihet në presion për ta hapur sërish këtë cëshjte.

Shumë ekspertë ngrejnë shqetësime se mos hapja e bisedimeve të pranimit do ta zhysë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në krizë të rëndë politike duke rrezikuar të gjitha reformat e ndërmarra.

Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte, Gazeta Si, 22 tetor 2019

Në një analizë mbi rreziqet e këtij vendimi, gazeta gjermane “Der Spiegel” rikujton se Brukseli i premtoi vendeveve të Ballkanit në Samitin e Selanikut integrimin në këmbim të reformave.

“Por tani BE-ja është tërhequr për herë të parë nga fjala e dhënë”, shkruan “Der Spielgel” , duke theksuar se pasojat politike të refuzimit mund të jenë serioze.

Sipas gazetës gjermane, ajo që do të vuajë më se shumti pasojat e këtij vendimi është Shqipëria, e cila siç thotë “Der Spiegel”, po udhëhiqet nga një kryeminitër gjithnjë e më autoritar.

“Reformat në drejtësi dhe sundimit të ligjit në Shqipëri kanë ngecur, dhe kryeministri socialist Edi Rama, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2013, dyshohet se ka mbajtur partinë e tij në pushtet përmes krimit të organizuar, veçanërisht mafies së drogës. Vetë Rama, i njohur në Perëndim për paraqitjet e tij në atlete dhe si një artist, kultivon një stil gjithnjë e më autoritar në politikën e brendshme", thotë gazeta e njohur gjermane.

Sipas “Der Spiegel”, skenari i “Shqipërisë së Madhe”, një bashkim afatgjatë i Shqipërisë dhe Kosovës mund të vendoset si një perspektivë e vërtetë politike afatgjatë. Ajo shkruan po ashtu se vendimi për shtyrjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ketë pasoja edhe për dialogun Prishtinë-Beograd.

Kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev. Gazeta Si, 22 tetor 2019

“Rifillimi i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës nën ombrellën e BE-së është ndoshta përfundimisht jashtë tryezës dhe në rastin më të mirë, ai mund të zhvillohet nën ndërmjetësimin e dy të dërguarve specialë amerikanë Palmer dhe Grenell”, shkruan “Der Spiegel”.

Gazeta gjermane ndalet edhe te dorëheqja e kryeministrit maqedonas dhe pasojat e ardhjes së nacionalistëve të VRMO DPMNE-së në pushtet.

“Zoran Zaev foli për një “padrejtësi të madhe historike”.Në janar, Maqedonia ndryshoi emrin e saj në “Maqedoninë e Veriut” pas gati tre dekadash mosmarrëveshje të vazhdueshme me fqinjin, Greqinë”, thotë “Der Spiegel”. Kjo nuk ishte vetëm një ngjarje që ndodh një herë në historinë botërore, por edhe jashtëzakonisht poshtëruese për shumicën e maqedonasve. Për më tepër, Maqedonia e Veriut aktualisht është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që po bën seriozisht reforma themelore demokratike dhe të sundimit të ligjit. Procesi është delikat dhe shoqërohet nga shumë pengesa. Një skandal i rëndë korrupsioni ka tronditur vendin për disa muaj tani. Sidoqoftë, që nga “Revolucioni Shumëngjyrësh” i suksesshëm i vitit 2016, Maqedonia ka qenë shembull pozitiv në rajon. Sidoqoftë, nëse nacionalistët kthehen në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme të pranverës, rruga e vendit do të bëhet e paparashikueshme. Një gjë është e sigurt: ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili iku në Hungari në vitin 2018, nuk pati skupuj gjatë mbretërimit të tij për ta çuar vendin në luftë civile nëse ishte e nevojshme, në mënyrë që të mbetet në pushtet”, thekson gazeta gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë